VERONA - Pas vendimit të Këshillit të Europës për të shtyrë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Ekonomik Eurasian (EEU) ka ftuar këto dy vende që t’i bashkohen këtij grupimi. Thirrja është bërë nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, gjatë Forumit Ekonomik Eurasian të mbajtur në Verona.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të gjejnë mirëkuptim më shpejt në EEU sesa në BE. Unë jam i sigurt se vendet, të cilat janë kandidate për anëtarësim në BE dhe së fundmi janë” vënë në akull “nga Brukseli “mund të kenë më shumë benefite në EEU”, theksoi diplomati rus.

E ndërsa nga Tirana ende nuk ka një reagim, Shkupi e ka refuzuar. Zoran Zaev ka deklaruar se deri tani nuk i ka ardhur një ftesë e tillë, por shtoi se uron që të mos vijë. “Është e vështirë të arrihet në një thirrje të tillë. Sepse nuk më shkon as ndërmend një punë e këtillë. Jo, nuk kemi ftesë të këtillë dhe shpresoj se që as do të arrijë”, deklaroi Zaev.

Pas një samiti dy ditor, liderët e Bashkimit Europian nuk arritën të marrin një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me Francën që vuri veton, teksa kundër Shqipërisë u pozicionuan edhe Holanda me Danimarkën. Macron argumentoi qëndrimin e tij se progresi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk mjafton dhe se më parë duhet reformim i brendshëm i BE-së.