Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelati ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi ku në qendër të diskutimit ishte situata e tensionuar në Lindjen e Mesme dhe rreziku i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në rajon.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme egjiptiane, e cila përmes një deklarate zyrtare bëri të ditur se gjatë komunikimit palët kanë theksuar rëndësinë e përmbajtjes dhe të angazhimit diplomatik për gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën.

Gjatë bisedës, Kajro përsëriti thirrjen drejtuar të gjitha palëve për të shmangur veprimet që mund të përkeqësojnë situatën, duke paralajmëruar për rrezikun e zgjerimit të konfliktit dhe për pasojat që një përshkallëzim i mëtejshëm mund të ketë për stabilitetin e gjithë rajonit.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Garibabadi, deklaroi më herët se Teherani rezervon të drejtën për t'u vetëmbrojtur pas sulmeve ajrore amerikane të një nate më parë në ishullin Qeshm.

Deklarata e zyrtarit iranian vjen në një moment kur tensionet mes palëve mbeten të larta, ndërsa shtohen shqetësimet për mundësinë e një përballjeje më të gjerë ushtarake në Lindjen e Mesme.

Përpjekjet diplomatike të Egjiptit dhe thirrjet për dialog vijnë në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar po kërkon frenimin e situatës dhe shmangien e hapave që mund ta çojnë rajonin drejt një krize edhe më të thellë.