TIRANE- Vijon bllokimi i ambasadorëve nga ana e Presidentit të Republikës. Edhe ditën e djeshme, kreu i shtetit shqiptar nuk dekretoi dy kandidaturat për të qenë ambasador të Shqipërisë, Ermir Gjinishi në Arabinë Saudite dhe Ardian Ndreca në Vatikan. Pavarësisht takimit që Nishani zhvilloi kokë më kokë me kryeministrin Rama, duket se ngërçi i ambasadorëve nuk është zgjidhur ende, pasi kreu i shtetit shqiptar po vazhdon të bllokojë dy kandidaturat.

Problemi i dy propozimeve të qeverisë qëndrojnë pezull për më shumë se një muaj në zyrën e Presidentit, pasi ai nuk i ka dekretuar ata dhe në këtë mënyrë, në dy selitë diplomatike të Shqipërisë në Arabinë Saudite dhe në Vatikan po vijojnë punën zëvendës-ambasadorët deri në zgjidhjen e ngërçit të krijuar ndërmjet dy krerëve të shtetit.

Ngërçi i krijuar
Propozimet e Ministrisë së Jashtme për ambasadorë në Vatikan dhe në Arabinë Saudite gjetën përplasjen edhe në Komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme. Në seancat dëgjimore të zhvilluara, anëtarët e Komisionit shprehën rezerva e tyre ndaj Ermir Gjinishit, ku pothuajse të gjithë përfaqësuesit e komisionit theksuan rezervat e tyre ndaj kësaj kandidature, pasi ai vjen nga fusha fetare dhe jo fusha diplomatike.

Edhe Ardian Nderca hasi kundërshtimet nga ana e deputetëve në Komision ku rasti më konkret ishte ai i Ben Blushit i cilit theksoi se ndërmjet presidenti Nishani dhe Ndrecës ka pasur një përplasje në distancë. Kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja se përse Nishani i ka bllokuar këto dy kandidatura të cilat për nga pozicioni ku janë përcaktuar janë tepër të rëndësishme për vendin. Vatikani është i rëndësishëm pasi është Selia e Shenjtë dhe ndikimi i saj në Europës është tepër e rëndësishme, ndërsa Arabia Saudite përcakton një faktor zhvillimi të Shqipërisë, pasi investimet arabe shihen me shumë prioritet nga ana e qeverisë.

Shkrimi u publikua sot (28.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)