TIRANË- Në 2 mars nuk do të ketë zgjedhje për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Pas vendimit për Tiranës, Gjykata ka pezulluar garën e 2 marsit deri në shqyrtimin e padive të Shoqatave Rajonale për manipulim të procesit, e më konkretisht të shoqatës së Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës, ndërsa edhe Fieri e Korça kanë patur kundërshti të forta, por nuk ngritën padi. Gjithashtu, Gjykata e Tiranës, janë pezulluar të gjitha vendimet e marra deri më tani në funksion të procesit zgjedhor për garën e FSHF. Një gjë e tillë u paralajmërua dhe dje në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv nga Eduard Prodani, kryetari i Shoqatës Rajonale të Tiranës i njohur nga Gjykata e Tiranës.

“Ju informoj se kërkesa me nr. 274 Aki, e cila u gjykua nga gjyqtare znj. Fida Osmani me kërkues: Akademia Luftëtari dhe person të tretë: Federata Shqiptare e Futbollit, me objekt: Marrjen e masës së sigurimit të padisë ka vendosur: Pranimin e kërkesës së palës kërkuese. Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur:

1. Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit nr. 1, date 10.1.2022, të Komisionit të Verifikimit të FSHF-se, si dhe çdo veprimi apo akti tjetër të dale në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

2. Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit të datës 21.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si dhe të  çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

3. Pezullimin e veprimtarisë së Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, në ushtrimin e kompetencave të tij statutore, për organizimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë”, thuhet në vendim.

Anulimi i zgjedhjeve për president vjen pak ditë pasi gjykata e Tiranës vendosi të mos njohë zgjedhjet në shoqatën rajonale të futbollit të kryera nga federata, ndërsa më pas shpalli të ligjshme asamblenë e thirrur nga Erion Veliaj, ku kryetar u zgjodh Eduard Prodani. Nga ana tjetër FSHF thotë se nuk i njeh vendimet e gjykatës së Tiranës, duke këmbëngulur se zgjedhjet e 2 marsit për president, por edhe asambleja e shoqatës së Tiranës ku kryetar u zgjodh Krenar Alimehmeti janë të vlefshme.

Një tjetër vendim në disfavor të Armand Dukës është marrë nga Gjykata e Tiranës, e cila e ka dënuar me një gjobë prej 700 mijë lekësh. Në argumentin e tyre, togat e zeza thonë se FSHF me në krye Armand Dukën, kanë zvarritur hetimet, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtares Fida Osmani.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:13
Penguan procesin gjyqësor, Gjykata e Tiranës gjobit me 700 mijë lekë FSHF

Gjykata e Tiranës nuk është mjaftuar vetëm me pezullimin e zgjedhjeve të FSHF në të gjithë vendin.

Ajo ka dënuar Presidentin e FSHF Armand Dukën me gjobë për pengim të procesit gjyqësor, pasi kërkonte përjashtimin e gjyqtares Fida Osmani. 

Në vendimin e saj, Gjykata ka dënuar me 700 000 lekë gjobë FSHF dhe drejtuesit e saj për pengimin e gjykimit lidhur me procesin e hapur për manipulimet me shoqatat rajonale me qëllim paracaktimin e rezultatit të zgjedhjeve të 2 marsit duke favorizuar Dukën.

Kjo është humbja e tretë e Armand Dukës në përballjen me drejtësinë shqiptare.

Ora 15:40
Armando Duka sfidon drejtësinë: Zgjedhjet për kreun e FSHF-në do i bëjmë me 2 mars

Pas vendimit të Gjykatës për të pezulluar garën e FSHF-së në të gjithë vendin, kjo e fundit, pavarësisht vendimit, sërish ka vendosur që zgjedhjet të bëhen me datë 2 mars 2022.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, në një mbledhje të organizuar ditën e sotme, ka miratuar materialet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore që zgjedhjet të zhvillohen me 2 mars.

Ky vendim i FSHF-së bie ndesh me vendimin e marrë nga Gjykata e Tiranës, ku u vendos që Federata e Futbollit nuk mund të zhvillojë dot zgjedhjet pa u shqyrtuar ankesat e bëra, duke pezulluar në këtë mënyrë Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së për mbajtjen e zgjedhjeve të 2 marsit.

Ky vendim nga FSHF është publikuar disa minuta pas vendimit të marrë nga Gjykata.