Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar një videomesazh me tone emocionale dhe politike për Vjosa Osmanin, një ditë pas tubimit të organizuar në kuadër të afrimit mes palëve para zgjedhjeve të 7 qershorit.  Në mesazhin e shpërndarë nga LDK-ja, partia e cilëson veten si “shtëpia politike” që ka formuar si Osmanin ashtu edhe strukturat e saj historike.

“Kjo është LDK-ja jonë. Kjo është shtëpia politike që na ka formuar të dyve. Shtëpia që na ka mësuar ta duam Kosovën para vetes. Shtëpia që, edhe në ditët më të vështira, nuk e humbi kurrë besimin tek Republika”, thuhet në deklaratë.

Më tej, mesazhi vazhdon me thirrje për bashkim dhe angazhim të përbashkët për forcimin e partisë.LDK-ja e konsideron momentin aktual si një zhvillim të rëndësishëm politik, duke folur edhe për krijimin e një “momentumi të ri” brenda subjektit.

“Kjo shtëpi sot na thërret të dyve. Është koha t’i japim të gjitha kësaj shtëpie. Yjet politike na kanë sjellë sërish në një vend. Në të njëjtin vend që ndihemi të dy mirë! Le ta krijojmë këtë momentum në një lidhje që qëndron në kohë. Prandaj sonte, le ta kuptojmë se ky nuk është vetëm bashkim politik. Ky është kthim në shtëpi. Prandaj, mirë se erdhe Vjosë në shtëpi!”, thuhet në njoftim.

Para largimit, Osmani ka qenë një nga figurat më të votuara të LDK-së dhe, në karrierën e saj politike, ka ushtruar funksione të rëndësishme institucionale, përfshirë atë të presidentes dhe deputetes.

Raportet e saj me strukturat e atëhershme të LDK-së u përkeqësuan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti I. Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani garoi në koalicion me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa më pas formoi subjektin e saj politik, Lista Guxo.

Pas fitores së zgjedhjeve, ajo u zgjodh presidente e Kosovës dhe e ushtroi mandatin deri në përfundim, por mosmbështetja për një mandat të dytë nga LVV-ja prishi raportet mes tyre. Kryeministri në detyrë, Kurti, synon një mandat të ri pas fitores së LVV-së në dy palë zgjedhjet e vitit 2025, fillimisht në shkurt dhe më pas në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.

Në të fundit, partia e tij mori mbi 51 për qind të votave dhe Kurti doli sërish si më i votuar. Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se, në zgjedhjet e 7 qershorit, synon të fitojë 60 për qind të votave. LVV-ja tashmë ka konfirmuar edhe vazhdimin e koalicionit me Guxo-n, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.

 

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 9 Maj, 13:00

    PS propozon masa më të ashpra për shoferët e dehur e ata të rinj, si iu duket?