CNN, Politico dhe MS NOW janë rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, disa orë pasi një gjykatës federal vendosi se ndalimi i vendosur nga presidenti Donald Trump për këto tri media ishte ndoshta antikushtetues dhe urdhëroi rikthimin e menjëhershëm të qasjes së tyre.

Mediat kërkuan një seancë dëgjimore urgjente gjyqësore për të rifituar hyrjen, duke akuzuar Shtëpinë e Bardhë – përmes një dokumenti gjyqësor  se kishte "shkelur në mënyrë të përsëritur" vendimin e gjykatësit për heqjen e ndalimit. Nuk ishte e qartë nëse seanca do të mbahej.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se kishte filluar rikthimin e qasjes pak pas orës 09:00 EDT të enjten, megjithëse CNN e ka kontestuar këtë kronologji.

Fillimisht, Trump tha se i kishte ndaluar këto media për shkak të "lajmeve të rreme". Më vonë, Shtëpia e Bardhë përmendi sigurinë kombëtare si arsye.

Kjo përplasje kufizoi një pjesë të mbulimit televiziv ndërsa Trump priste presidentin kinez Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë, në prag të një darke zyrtare që do të mbahej më vonë.

Në orët e para të ditës, gjykatësi Timothy Kelly vendosi se ndalimi ndaj mediave duhej të hiqej përkohësisht, pasi ai "me gjasë shkelte të drejtat e tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor".

CNN, Politico dhe MS Now raportuan se u ishte mohuar hyrja në Shtëpinë e Bardhë të enjten në mëngjes, gjë që çoi në kërkesën e tyre për një seancë urgjente.

Në përgjigje, drejtori i Operacioneve të Shtëpisë së Bardhë deklaroi në një dokument gjyqësor se lejet e shtypit dhe kartat e konfiskuara ishin rikthyer deri në orën 09:45. Pak më vonë, të tria mediat njoftuan se u ishte lejuar sërish hyrja, shkruan BBC.