Qazim Sejdini është shpallur zyrtarisht “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Këshilli Bashkiak votoi unanimisht dhënien e titullit pas vdekjes për ish-kryebashkiakun, duke vlerësuar kontributin e tij në zhvillimin dhe transformimin e qytetit.
Vendimi erdhi pas propozimit të kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili e cilësoi Sejdinin si një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne të qytetit.
Në motivacionin e titullit theksohet “kontributi i jashtëzakonshëm në zhvillimin, transformimin dhe promovimin e qytetit të Elbasanit, si dhe përkushtimi i palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik”.
I lindur në Elbasan më 12 shkurt 1951, Qazim Sejdini ndërtoi karrierën e tij si mësues, drejtues sportiv, sipërmarrës dhe administrator publik, përpara se të merrte drejtimin e Bashkisë së Elbasanit për tre mandate radhazi, nga viti 2007 deri në vitin 2019.
Gjatë kësaj periudhe, qyteti njohu një sërë investimesh dhe transformimesh në infrastrukturë, urbanistikë, kulturë, sport dhe turizëm. Ndër projektet më të njohura të realizuara gjatë drejtimit të tij përmenden restaurimi i mureve të kalasë, rikualifikimi i zonave historike, evidentimi i mozaikut paleokristian pranë Rrapit të Bezistanit, ndërtimi i stadiumit “Elbasan Arena” dhe promovimi i Ditës së Verës si simbol kombëtar i identitetit elbasanas.
Në vitin 2009, Elbasani u vlerësua në Lugano të Zvicrës me çmimin “Destination to be Discovered”, një çmim që e vendosi qytetin në vëmendjen e turizmit ndërkombëtar.
Sejdini mbajti më herët edhe detyrën e Prefektit të Qarkut Elbasan, ku u angazhua për përmirësimin e situatës mjedisore, forcimin e emergjencave civile dhe afrimin e institucioneve me qytetarët.
Në vlerësimin e Këshillit Bashkiak theksohet gjithashtu roli i tij në ruajtjen e harmonisë fetare, mbështetjen për rindërtimin e Xhamisë së Ballies dhe promovimin e bashkëjetesës qytetare, vlera që kanë shoqëruar historikisht Elbasanin.
Komente









