Liderët e botës u mblodhën në qytetin Sharm el-Sheikh të Egjiptit, aty ku firmosën Marrëveshjen e Paqes për Gazën.
Ky samit u udhëhoq nga Presidenti amerikan Donald Trump, i cili gjatë pjesë së parë të ditës (13 tetor 2025) ishte në Izrael ku mbajti fjalim në parlament dhe vlerësoi arritjen e paqes.
Dokumenti për paqen në Gaza u nënshkrua live në Egjipt nga Presidenti amerikan dhe liderët e Egjiptit, Katarit e Turqisë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, pasi e nënshkroi, tha: “U deshën 3,000 vite për të arritur në këtë pikë, a mund ta besoni? Dhe do të qëndrojë kështu”.
Trump falenderoi edhe liderët e tjerë për mbështetjen e treguar gjatë negociatave për armëpushimin.
"Të gjithë janë të lumtur", tha ai, duke shtuar se ka bërë "marrëveshje të mëdha më parë", por këtë të fundit e konsideroi si një “anije kozmike” për shkak të peshës dhe rëndësisë që ka.
Trump deklaroi se më parë kishte pasur parashikime që pretendonin se Lufta e Tretë Botërore do të fillonte në Lindjen e Mesme, duke shtuar se "kjo nuk do të ndodhë".
Në konferencën e shtypit pas firmosjes së marrëveshjes, Presidenti Trump u shpreh se ky ishte momenti që të gjithë po prisnin dhe shpresonin prej kohësh.
“Lutjet e miliona njerëzve më në fund kanë marrë përgjigje”, tha ai, duke falenderuar emër për emër të gjithë liderët e botës që ndodheshin aty por edhe të tjerë të cilët punuan në arritjen e këtij kompromisi.
Në këtë samit ishin të pranishëm Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas dhe udhëheqësit evropianë Emmanuel Macron i Francës, Giorgia Meloni Kryeministrja e Italisë, Kryeministri britanik Keir Starmer, Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri hungarez Victor Orban e shumë të tjerë. Mbreti i Bahreinit Hamad bin Isa Al Khalifa ishte gjithashtu në skenë. Ajo që ra në sy ishte edhe prania e shefit i FIFA-s, Gianni Infantino.
Por nga Izraeli nuk pati asnjë përfaqësues.
Më herët, gjatë pritjes nga Presidenti egjiptian pas mbërritjes në Sharm el-Sheikh, Trump deklaroi se marrëveshja e Gazës nuk do të ishte arritur nëse SHBA nuk do të kishte goditur bazat bërthamore të Iranit.
Ndërkohë, në Gaza, Hamasi përfundoi lirimin e të gjithë njëzet pengjeve izraelite që janë ende gjallë pas armëpushimit, 738 ditë pas fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Katër nga 28 trupat e pengjeve që humbën jetën, po ashtu u dorëzuan. Në të njëjtën kohë, të gjithë gati dy mijë të burgosurit palestinezë të përcaktuar në marrëveshje u liruan. Autobusët që transportonin të burgosurit mbërritën në Ramallah.
Trump mori duartrokitje, pasi kishte vizituar Izraelin përpara se të fluturonte për në Egjipt dhe, në fjalimin e tij në Knesset, deklaroi: "Nuk është vetëm fundi i luftës, është fundi i epokës së terrorit. Tani do të përqëndrohemi te Rusia. Do ta zgjidhim edhe këtë situatë. Faza e marrëveshjes së Gazës ka filluar tashmë”.
Çfarë duhet të dini për 'Qytetin e Paqes' në Egjipt?
Sharm el-Sheikh është një vend i përdorur edhe më parë për bisedime paqeje dhe negociata.
Qyteti egjiptian u bë i njohur si një vend për diplomaci nën ish-Presidentin egjiptian Hosni Mubarak, i cili u rrëzua nga pushteti në vitin 2011. Autostrada e tij kryesore, Rruga e Paqes, të çon në Sheshin e Paqes, ku një monument i dedikuar paqes simbolizon rolin që qyteti dikur shërbente si një qendër rajonale për bisedimet e paqes.
Në vitin 1996, ish-Presidenti i SHBA-së Bill Clinton bashkë-kryesoi Samitin e Paqebërësve në Sharm, siç njihet qyteti, duke bashkuar zyrtarë të lartë izraelitë dhe palestinezë. Dhe në vitin 1999, qyteti priti Kryeministrin izraelit Ehud Barak dhe Presidentin e atëhershëm të Autoritetit Palestinez, Yaser Arafat.
Dhe në vitin 2005, atje u mbajt një samit midis kryeministrit izraelit Ariel Sharon dhe presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ku Intifada e Dytë Palestineze u shpall e përfunduar.
Izraeli pushtoi Gadishullin e Sinait, përfshirë Sharmin, pas Luftës Gjashtëditore në vitin 1967 dhe ia ktheu atë Egjiptit në vitin 1982, pas një marrëveshjeje historike paqeje midis dy vendeve.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka vlerësuar Marrëveshjen e Paqes për Gazën të firmosur në Egjipt nga Presidenti amerikan Donald Trump dhe liderë të tjerë shtetesh.
“Firmosja e Marrëveshjes së Paqes për Gazën, sot në Egjipt, e iniciuar, mbështetur dhe bërë realitet nga Presidenti Trump, është një moment historik për paqen dhe njerëzimin. Kjo marrëveshje shënon një pikë kthese, duke dëshmuar se diplomacia, dialogu dhe vizioni mund ta bëjnë të pamundurën realitet. Shqipëria qëndron krah të gjitha kombeve që kontribuojnë për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, në këtë moment kaq të rëndësishëm”, thotë Presidenti Begaj në një mesazh në rrjetin social X.
Trump ishte sot në Izrael dhe Egjipt, ku në këtë ndalesë të dytë u firmos Marrëveshja e Paqes duke i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe Hamasit.


Pas një dite të gjatë dhe intensive, Presidenti amerikan Donald Trump mbylli vizitën në Lindjen e Mesme, që u finalizua me firmosjen në Egjipt të Marrëveshjes së Paqes për Gazën, duke i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Trump përshëndeti shkurtimisht kalimtarët dhe të pranishmit e tjerë, por nuk u ndal për të folur për gazetarët para se të hipte në avion, siç bën zakonisht.
Presidenti amerikan do të kthehet në Uashington.

Pas firmosjes së Marrëveshjes së Paqes për Gazën në Egjipt, Presidenti amerikan Donald Trump tha në konferencën e shtypit se "kjo është dita për të cilën njerëzit në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën kanë punuar, janë përpjekur, kanë shpresuar dhe janë lutur".
"Ne kemi arritur atë që të gjithë e quanin të pamundur, më në fund kemi paqe në Lindjen e Mesme. Është kaq bukur të shohësh një ditë të re dhe të bukur që po lind. Dhe tani fillon rindërtimi”, nënvizoi Donald Trump.
Presidenti amerikan shprehu "mirënjohjen e tij të jashtëzakonshme për kombet arabe dhe myslimane" të cilat ai thotë se "ndihmuan në bërjen e mundur të këtij përparimi të jashtëzakonshëm".

Presidenti i Egjiptit deklaroi se marrëveshjet e sotme për Gazën “hapin derën për një epokë të re paqeje dhe sigurie në Lindjen e Mesme.”
Abdel Fattah al-Sisi tha se “përfundimi i luftës në Gaza duhet të shënojë fundin e të gjitha luftërave në rajon.”
Ai njoftoi se Egjipti do të presë një samit për rindërtimin e Gazës.
Gjithashtu, al-Sisi theksoi se zgjidhja me dy shtete është “e vetmja mënyrë për të përmbushur aspiratat e popullit palestinez dhe atij izraelit për t’i dhënë fund konfliktit.”
“Paqja nuk ndërtohet nga shtetet dhe qeveritë, por nga njerëzit që besojnë se armiqtë e djeshëm mund të jenë miqtë e sotëm,” – u shpreh ai.
Teksa al-Sisi ftoi presidentin Trump në skenë, ai shtoi: “Dua të shpreh vlerësimin tim të madh për përpjekjet e presidentit Trump.”

Ky është momenti kur Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur Marrëveshjen e Paqes për Gazën.
Samiti i Paqes po mbahet në Egjipt, ku janë të pranishëm edhe të paktën 20 krerë shtetesh.
Trump ishte i pari që firmosi këtë marrëveshje, të udhëhequr prej tij sipas Planit të Paqes që u hartua nga SHBA.
Më pas firmosja e marrëveshjes së paqes që i jep fund luftës në Lindjen e Mesme vijoi nga liderët e tjerë të shteteve.

(Marrëveshja për Paqen në Gaza e firmosur nga Presidenti Donald Trump)

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi mori pjesë sot në një takim në Sharm el-Sheikh me liderët e Francës, Katarit, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera, për të diskutuar mbi të ardhmen e Gazës, përfshirë "përpjekjet për rindërtim".
“Takimi u mbajt me qëllimin për të koordinuar përpjekjet mes vendeve pjesëmarrëse për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës, duke përfshirë përpjekjet për rindërtim dhe sigurimin e ndihmave humanitare,” tha një zëdhënës i presidencës.
Sisi theksoi se Egjipti dhe Jordania janë duke trajnuar oficerë të policisë palestineze, duke shtuar se është e nevojshme që vendet evropiane të ofrojnë mbështetje për të zgjeruar këto përpjekje.
Gjatë takimit, vendet pjesëmarrëse diskutuan gjithashtu për rëndësinë e pastrimit të mbeturinave në Gaza dhe rritjen e sasisë së ndihmave humanitare që po arrijnë në territorin palestinez, thuhet në njoftimin e Presidencës së Egjiptit.
Komente











Lideri global, shakatori Samiteve nuk paska shkuar???!!!! Ahahhaa qenka dhe frikacak….
PërgjigjuPo qy i joni ishte arej?
PërgjigjuAy i joni therret konferenca per Ukrainen. I ka ndare punet. Spiropalin e ka per xhvillim marrdheneiesh me baballaret zionista