Për herë të dytë brenda gjashtë muajsh, ambasadori amerikan në Paris, Charles Kushner nuk iu përgjigj thirrjes për takim nga Ministria e Jashtme franceze, duke thelluar tensionin diplomatik mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara.

Kriza shpërtheu pasi ambasada amerikane në Paris shpërndau një mesazh të Departamentit të Shtetit në rrjetin X, ku thuhej se vrasja në Lion e Quentin Deranque, një aktivist i ekstremit të djathtë, nga militantë të ekstremit të majtë, “duhet të na shqetësojë të gjithëve” dhe se “ekstremizmi i dhunshëm i majtë është në rritje”. Qeveria franceze e konsideroi këtë si ndërhyrje në çështje të brendshme.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, e thirri ambasadorin Kushner në Quai d’Orsay, por ai nuk u paraqit, duke përmendur angazhime të mëparshme dhe duke dërguar në vend të tij një përfaqësues tjetër të ambasadës. Barrot reagoi hapur: kur përfaqëson vendin si ambasador, tha ai, respektohen rregullat bazë të diplomacisë dhe i përgjigjesh thirrjes së ministrisë.

Ambasadori Kuchner, 71 vjeç, miliarder i pasurive të paluajtshme dhe babai i Jared Kushner,  dhëndrit të presidentit Donald Trump, u emërua në Paris në korrik 2025, pa përvojë diplomatike. Ai ishte thirrur edhe në fund të gushtit, pasi kritikoi njohjen nga Franca të shtetit palestinez dhe akuzoi presidentin Macron se nuk lufton mjaftueshëm antisemitizmin. Edhe atëherë nuk u paraqit

Ministria e Jashtme franceze njoftoi se, për shkak të kësaj “keqkuptimi të dukshëm të misionit të ambasadorit”, Kuchner nuk do të ketë më akses të drejtpërdrejtë te anëtarët e qeverisë franceze.

Megjithatë, Barrot theksoi se incidenti është përgjegjësi personale e ambasadorit dhe nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve, që këtë vit shënojnë 250 vjetorin e tyre. Por ai pranoi se kjo situatë do të ndikojë në aftësinë e Kushner për të ushtruar detyrën në Francë. I pyetur nëse ambasadori mund të shpallet “person i padëshiruar”, ministri nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë, duke thënë se pritet një shpjegim prej tij.

Barrot shtoi se Franca nuk pranon ndërhyrje të huaja në debatin e saj politik dhe se duhet diskutuar edhe për sanksionet amerikane ndaj disa qytetarëve europianë, përfshirë ish-komisionerin Thierry Breton dhe gjyqtarin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Nicolas Guillou.

Gjatë intervistës, Barrot komentoi edhe përplasjen mes Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane Georgia Meloni lidhur me të njëjtin rast në Lion. Një mesazh ngushëllimi nga Meloni kishte irrituar Macron, i cili iu përgjigj me një proverb francez që nënkupton “secili të merret me punët e veta”. Kjo solli një tjetër ftohje mes Romës dhe Parisit, me shtyrje takimesh dhe anulime vizitash.

Sipas Barrot, rasti me Italinë është i mbyllur dhe dy vendet do të vazhdojnë bashkëpunimin. Por me SHBA-në, tensioni mbetet i hapur, ndërsa Parisi pret një sqarim nga ambasadori amerikan./CorrieredellaSera