Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me një krizë serioze të brendshme që pas zgjedhjeve parlamentare, sepse pakënaqësitë për rezultatin e 7 qershorit janë shndërruar në një debat të hapur për drejtimin e partisë.
Ajo që deri dje diskutohej në korridore e mbledhje të mbyllura, mbrëmjen e fundit shpërtheu publikisht. Brenda pak orësh, tri degë të LDK-së kërkuan dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke e bërë të qartë se rezultati zgjedhor nuk konsiderohet sukses nga një pjesë e strukturave të partisë.
Sinjali i parë erdhi nga Peja. Kryesia e degës vlerësoi se lidershipi duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin dhe kërkoi dorëheqjen e kryetarit si akt moral dhe politik.
“Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja. Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, thuhej në njoftim.
Vetëm pak minuta më pas, të njëjtën rrugë ndoqi edhe Lipjani, komunën e udhëhequr nga Imri Ahmeti i kësaj partie, ku drejtuesit lokalë kërkuan reflektim dhe reformim të partisë në të gjitha nivelet.
“Rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si thirrje për reflektim, përgjegjësi të përbashkët dhe nisjen e procesit të reformimit dhe riorganizimit të partisë në të gjitha nivelet. Vetëm përmes reflektimit të sinqertë, debatit të hapur dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet mund të rikthehen besimi dhe energjia”, njoftoi dega e LDK-së në Lipjan.
Mesazhi që vinte nga të dyja degët ishte se rezultati i LDK-së nuk i ka përmbushur pritjet dhe partia duhet të hyjë në një proces ndryshimi. Por reagimi i Abdixhikut tregoi se beteja sapo kishte nisur.
“Ndjej vetëm keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë? Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së. Pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, shkori ndër tjerash Abdixhiku, duke lënë të kuptohet se pas kërkesave për dorëheqje sheh një veprim të koordinuar.
Por vala e kritikave nuk u ndal. Pak më vonë, edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë kërkoi largimin e tij, duke argumentuar se partia ka nevojë për ndryshime të domosdoshme.
Ndërsa një pjesë e strukturave po kërkonin largimin e kryetarit, figura të tjera të partisë dolën në mbrojtje të tij.
Kryetari i degës së Ferizajt, Visar Azemi, akuzoi kritikët se po shmangin përgjegjësinë për rezultatet në terrenin që drejtojnë vetë. Në të njëjtën linjë ishte edhe Ilir Ferati në Istog, i cili tha se nuk mund të kërkohet llogari vetëm nga qendra, ndërsa drejtuesit lokalë të mos japin shpjegime për rezultatet në komunat e tyre.
“Secili duhet së pari ta bëjë llogarinë para anëtarësisë së vet dhe të pyesë veten nëse ka bërë mjaftueshëm për ta bërë LDK-në më të fortë në zgjedhjet e fundit. Në këto zgjedhje, shumë njerëz punuan me mish e me shpirt për rritjen e LDK-së. Prandaj është zhgënjyese kur, në vend të reflektimit dhe mirënjohjes ndaj këtij angazhimi, dikush zgjedh ta dëmtojë LDK-në nga brenda”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Edhe Alban Raci nga Klina kundërshtoi mënyrën se si po zhvillohej debati, duke argumentuar se kërkesa të tilla duhet të trajtohen në forumet e partisë dhe jo përmes deklaratave publike.
“Të kërkosh dorëheqjen e kryetarit të LDK së ‘prej së largu’ nuk është as etike, as proceduralisht e pranueshme, dhe aq më pak në shërbim të fuqizimit të LDK së”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Mes dy kampeve, nënkryetarët Doarsa Kica Xhelili dhe Anton Quni tentuan të ulin tensionet. Të dy kërkuan unitet, reflektim dhe debat brenda strukturave të LDK-së, duke paralajmëruar se përçarja mund ta dëmtojë partinë në një moment të rëndësishëm politik.
Por zërat kritikë nuk munguan as në nivel qendror. Hykmete Bajrami kërkoi zgjedhje të brendshme dhe tha se përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive.
Ajo shkroi sot paradite se “në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme”.
“Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Bajrami tha se “parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim”. Edhe Muhamet Hamiti foli për nevojën e një lidershipi të ri, duke e cilësuar rezultatin e fundit si katastrofal për partinë e Ibrahim Rugovës.
"Ju ftoj të gjithëve të punojmë për pajtim, duke lënë anash çdo gjë që na ndan; për bashkim, duke u rreshtuar rreth vlerave tona të përbashkëta; dhe për urtësi, duke dëshmuar pjekurinë politike që e ka karakterizuar gjithmonë LDK-në. Vetëm të bashkuar, me urtësi dhe me besim tek njëri-tjetri, mund të jemi udhërrëfyesi dhe forca që i duhet vendit tonë. Na priftë e mbara!”, shtoi ai.
Për herë të parë pas zgjedhjeve, debati në LDK nuk po zhvillohet më vetëm për rezultatin, por për vetë drejtimin e partisë. Njëra palë kërkon përgjegjësi nga kryetari, pala tjetër nga drejtuesit lokalë. Në mes janë thirrjet për unitet dhe pajtim. Ajo që mbetet për t’u parë sipas mediave në Kosovë, është nëse kjo përplasje do të mbyllet brenda forumeve të partisë apo do të shndërrohet në një garë të hapur për drejtimin e LDK-së.
Partia më e vjetër e Kosovës mori mbi 135 mijë vota në zgjedhjet fundit parlamentare më 7 qershor duke u renditur sërish e treta, për të katërtën herë radhazi.
Komente










