TIRANE-Kryepeshkopi i kishës ortodokse, Anastas Janullatos, ka uruar përmes një mesazhi të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve. Janullatos thekson se kjo festë simbolizon kalimin nga kalimtarja në përjetësi, nga vdekja në jetë.
“ Në të kremten e Pashkës, Kisha jonë nuk na fton thjesht në një mallëngjim sipërfaqësor, që përkëdhel ndjenjën fetare, por në një dalje jetike: nga plogështia shpirtërore në vigjilencën e frymës”.- thekson në mesazhin e tij Janullatos.
Festa e Pashkës, sipas doktrinës së krishterë, fton besimtarët në një përpjekje për të dalë nga mëkati.
Në mesazhin e tij Janullatos nënvizon se sipas terminologjisë së sotme dalja nga mëkati do të thotë dalje nga korrupsioni, gënjeshtra, paligjësia, mashtrimi, etj. Do të thotë zgjedhje e vendosur e së vërtetës dhe e ndershmërisë. Dalje nga indiferenca për hir të drejtësisë. Mobilizim që të mbizotërojë e drejta në ambientin tonë dhe më gjerë në shoqërinë tonë.
(jd/shqiptarja.com)