Pasi Biden quajti ‘vrasës’ Putin, ambasadori rus në SHBA mbërrin për konsultime emergjente në Rusi

Pasi Biden quajti ‘vrasës’ Putin, ambasadori rus në SHBA mbërrin për konsultime emergjente në Rusi

Ambasadori rus ne SHBA

Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara u kthye në Moskë të dielën pasi u thirr për konsultime emergjente pas tensioneve në rritje me Uashingtonin pas komenteve të Presidentit Joe Biden, kur tha se besonte se, homologu i tij rus Vladimir Putin ishte një vrasës.

Deklarata e zotit Biden gjatë një interviste televizive disa ditë më parë shkaktoi një reagim të vrazhdë nga udhëheqësi Putin i cili i uroi presidentit amerikan “shëndet të mirë” dhe tha se njerëzit kanë tendencë t’u referohen të tjerëve ashtu siç e shohin veten e tyre.

Intervista e zotit Biden erdhi pas publikimit të një raporti nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar amerikan që arrinte në përfundimin se, Putini kishte “autorizuar, dhe një zinxhir organizatash të qeverisë ruse kishin zbatuar, operacione që synonin denigrimin e kandidaturës së Presidentit Biden dhe Partisë Demokrate, duke mbështetur ish-Presidentin Donad Trump, dhe duke minuar besimin e publikut amerikannë procesin elektoral si dhe duke përkeqësuar ndasitë social-politike në Shtetet e Bashkuara.”

Kremlini menjëherë hodhi poshtë përfundimet e raportit, duke thënë se ishin “tërësisht të pabazuara”.

Agjencitë ruse të lajmeve njoftuan se Ambasadori Anatoly Antonov mbërriti në aeroportin Sheremteyevo të Moskës në orët e para të 21 marsit pasi ai ishte thirrur javën e kaluar lidhur me përplasjen mes Moskës dhe Uashingtonit.

Para se të nisej drejt Rusisë nga Nju Jorku, ai u tha agjencive të lajmeve se do të qëndronte në Moskë “për aq kohë sa ishte e nevojshme” dhe se ishin caktuar të merrte pjesë në disa takime pas kthimit në vendin e tij.

“Pala ruse gjithmonë ka theksuar se është e interesuar në zhvillimin e marrëdhënieve ruso-amerikane në të njëjtën masë sa ç’janë kolegët tanë amerikanë”, citohet të ketë thënë ambasadori për agjencinë ruse të lajmeve TASS.

Moska, e cila rrallë tërheq ambasadorët e saj, për herë të fundit e thirri të dërguarin e saj në Shtetet e Bashkuara në vitin 1998 lidhur me fushatën perëndimore të bombardimeve në Irak.

Në vitin 2014, pasi Shtetet e Bashkuara thanë se Rusia do të përballej me pasoja lidhur me aneksimin e Krimesë, Putini u përmbajt të tërhiqte ambasadorin rus, duke e përshkruar masën si “mjetin e fundit”.

Presidenti amerikan Joe Biden, i cili ka më shumë se katër dekada në politikë, gjatë një interviste në kalanlin televiziv ABC me 17 mars, kur u pyet nëse besonte se presidenti rus ishte një vrasës, u përgjigj thjesht “po”.

Kremlini reagoi menjëherë duke thënë se deklarata e zotit Biden ishte “shumë e keqe” dhe “e pashembullt”.

Por pas këtyre shkëmbimeve, udhëheqësi Putin propozoi mbajtjen e një debati publik në internet me Presidentin Biden, për të folur rreth pandemisë dhe konflikteve rajonale, mes temave të tjera, dhe tha se ai duhet të ishte një debat i hapur për publikun.

Kremilini ka lënë të kuptohet se oferta kishte si qëllim menjanimin e dëmtimit të përheshëm të marrëdhënieve ruso-amerikane pas citimeve të zotit Biden mbi udhëheqësin rus.

Qeverisja prej dy dekadash e udhëheqësit Putin është karakterizuar me akuza nga Perëndimi për përpjekje për atentate ndaj kundërshtarëve politikë të sponsorizuara nga shteti, si brenda vendit ashtu edhe jashtë Rusisë. Por asnjë president amerikan nuk ishte shprehur më parë publikisht se besonte se udhëheqësi rus ishte përgjegjës direkt për vrasje./VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan