Pastiçe me beshamel

Përbërësit:

  • 1 pako makarona spageti
  • 400 ml qumësht
  • 3-4 vezë
  • 150 gr djathë të bardhë
  • Kripë, piper

Për beshamelin:

  • 2 lgj gjalpë
  • 2 lgj miell
  • 350 ml qumësht
  • Kripë, arrë moskat
  • 200 gr djathë kaçkavall

Përgatitja:

Në një enë rrahim vezët me qumështin. Shtojmë pak kripë dhe djathin e bardhë të thërrmuar. Ndërkohë kemi vendosur makaronat të ziejnë për 5 minuta në ujë të vluar me pak kripë. Sa makaronat ziejnë përgatisim salcën beshamel. Kaurdisim miellin me gjalpë derisa mielli të marrë pak ngjyrë. Më pas shtojmë qumështin dhe e trazojmë derisa të marrë valë dhe salca të lidhet. Në fund rregullojmë shijen me pak kripë dhe arrë moskat. Kullojmë makaronat gjysëm të ziera dhe i vendosim tek ena ku kemi trazuar vezët me qumështin. Lyejmë një tavë me gjalpë dhe vendosim makaronat me qumësht dhe vezë. Sipër makaronave vendosim salcën beshamel duke e niveluar mirë dhe në fund e spërkasim me djathë kaçkavall të grirë në rende. E vendosim pastiçen të piqet në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius për 30-35 minuta.