Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Ervin Gokaj dhe Klodian Braho janë edhe zyrtarisht kandidatët, njëri prej të cilëve më 18 dhjetor do të ulet në karrigen e Altin Dumanit si drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme.Të katër kandidatët janë miratuar pas asnjë votë kundër nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që vlerësoi se prokurorët plotësojnë kushtet.
“Të 4 kandidatët i plotësojnë kushtet për të garuar për të qenë në krye të SPAK, Adnan Xholi, Doloreza Musabelli, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. Ne i propozojmë këshillit miratimin e listës së kandidatëve për të kandiduar për vendin vakant për drejtues të SPAK”, tha Sokol Stojani.
Nga 11 anëtarët e KLP nuk mori pjesë në votim vetëm Zeqir Hodaj. Ai u largua pak para votimit pasi sipas tij ka pasur shkrime në media se ai ndodhet në situatën e konfliktit të interesit sepse i biri është emëruar në BKH nga Klodian Braho, një prej kandidatëve. Edhe pse vetë e gjykonte jo si arsye për të qenë në konflikt interesi, Hodaj vendosi të mos merrte pjesë, të paktën në këtë votim.
“Unë nuk gjendem në kushtet e heqjes dorë nga kjo situatë, por kërkoj t’i jepet kohë edhe Këshillit edhe vetes për të marrë një vendim në lidhje me të. Vlerësoj që duhet të largohem nga zhvillimi i seancës për këtë çështje. Edhe pse çështje formale duhet të largohem nga votimi për të marrë kohën e duhur për një proces të rregull ligjor”, u shpreh Zeqir Hodaj.
Tani pas miratimit zyrtar, 4 kandidatët do të thirren në KLP që të prezantojnë platformat e tyre dhe t’i nënshtrohen një procesi të hapur intervistimi. Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, për një mandat 3-vjeçar, bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i SPAK zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill, pra mjafton të marrë një votë më shumë se kandidatët e tjerë.
Më 18 dhjetor, Altin Dumani, do të duhet të lerë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pas një mandati 3-vjeçar, gjatë të cilit përfunduan nën hetime figura nga më të larta të politikës në vend, si dhe disa nga organizatat më të rrezikshme kriminale në vend. Në garë, për të marrë stafetën janë katër kandidatë, të gjithë prokurorë aktualë të SPAK, me karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe të angazhuar në çështje me ndjeshmëri të lartë.
Komente










