Hetimet për pasurinë e gjyqtarit të apelit në tiranë dhe anëtarit të këshillit të lartë të drejtësisë Gjin Gjoni kanë përplasur prokurorinë dhe gjykatën e Elbasanit.

A1Report ka siguruar një kopje të ankimit të prokurorisë, ku kërkohet prishja e vendimit nr.1482 datë 13.02.2015 pasi sipas akuzës afati i kërkuar shërben për marrjen e përgjigjeve të letër porosive dërguar në Francë dhe gjermania.

Gjykata e Elbasanit më 13 shkurt ka vendosur të mos zgjas afatet e hetimit për dosjen e pasurisë së gjyqtarit Gjin Gjoni, por ky vendim sipas akuzës duhet të prishet pasi pengon hetimet e plota dhe të gjithanshme.

Duke refuzuar zgjatjen e afateve gjykata e Elbasanit thotë prokuroria, ka cënuar tagrin e Prokurorisë për të ushtruar ndjekje penale, për të mbledhur prova e për të kryer hetime të plota, të gjithanshme e objektive dhe mbi të gjitha ka penguar vendimmarrjen e saj në kuptim të nenit 323 të Kodit të Procedurës Penale, vendimmarrje të cilën nuk mund ta realizojë as vetë Gjykata dhe as ndonjë organ tjetër shtetëror.

Këto letër porosi thotë prokuroria do të hedh dritë nëse transferta ka pasur dhe në bankat e këtyre shteteve dhe nëse këto transferta parash janë kryer nga gjyqtari Gjin Gjoni apo bashkëshortja e tij Elona Çaushi.

Në ankimin e saj prokuroria hedh dritë dhe me veprimtarinë e dy notereve, përkatësisht Gentiana Shkodra dhe Margena Çela ku thotë se konfirmimet që do të vinë nga Franca e Gjermania për të cilën dhe është kërkuar zgjatja e afateve të hetimit do të përcaktojnë nëse këto notere kanë kryer apo jo veprime të paligjshme me shtetasen nën hetim Elona Çaushi.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)