TIRANE-Prej ditësh Policia e Shtetit po vijon kërkimet për të arrestuar Kelmend Balilin. Por në një kohë që Policia po kërkon në bizneset e tij apo të afërmve si dhe në banesat e tyre, Report TV ka zbuluar dy bizneset të cilat ka hapur Kelmend Balilit. Sipas dokumentave në QKR, Kelmend Balili është pronar i një restoranti pranë Ksamilit dhe i një agjencie udhëtimesh dhe pike karburanti.

Restoranti ndodhet në një godinë 3-katëshe dhe është 100% në pronësi të Balilit. Pavarësisht se Balili është në kërkim ndërkombëtar ende nuk ka një urdhër-sekuestro për këtë restorant, i cili në QKR figuron si i çregjistuar.

Po kështu Balili është pronar edhe i subjektit ‘Montana’, në rrugën nacionale Sarandë-Delvinë. Sipas ekstraktit të QKR ky subjekt merret me tregtimin e karburanteve me shumicë dhe pakicë, por gjithashtu i njëjti subjekt bënte edhe transport ndërkombëtar udhëtarësh. ‘Montana shpk’, aktualisht ka pezulluar aktivitetet dhe kjo duket se është një metodë për ti shpëtuar sekuestros.

Prokuroria ende nuk ka nxjerrë urdhër sekuestrimi për to dhe duket se i kanë shpëtuar ligjit “Antimafia” për faktin se njëri biznes është i çregjistruar ndërsa biznesi tjetër i pezulluar.

Pavarsisht se është përfolur se Kelmend Balili zotëron disa pasuri në Sarandë, si resorti “Santa Quarant”, 44-vjeçari zyrtarisht ka vetëm dy biznese të regjistruara.
Kelmend Balili është përfolur dhe për aksione tek resorti ‘Santa Quaranta’, por Bako Balili, vëllai i tij në një telefonatë pak ditë më parë për Report Tv theksoi se, kjo është pronë e Balilëve dhe jo e Kelmendit.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka vijuar edhe gjatë ditëve të fundit kontrollin e disa bizneseve në Sarandë dhe Delvinë, ku dyshohet se Balili i frekuentonte. Deri më tani Policia nuk ka gjetur asnjë gjurmë të tij, ndërkohë që dyshohet se ai ka marrë informacion për aksionin e policisë me anë të një telefonate që ka dekonspiruar operacionin blic.