Deklarata
Në deklaratën e pasurisë së tij, ajo që bie më së shumti në sy është pikërisht vlera e madhe në mijëra euro që kapin tri apartamentet në Itali, e cila, sipas deklaratës zyrtare, rezulton të jetë plot 950 mijë euro. Kësaj shume i shtohet edhe një tjetër shifër e majme plot 100 mijë euro, e cila rezulton të jetë dhe vlera e një shtëpie private në emër të Eduart Ndocajt në fshatin Shëndëlli të qytetit bregdetar të Sarandës. Ndërkohë që apartamentet e tjera, përveç kësaj shtëpie private, të cilat janë në bashkëpronësi të deputetit Ndocaj me bashkëshorten, rezultojnë të jenë marrë prej tyre falë investimeve bankare. Pjesa tjetër e apartamenteve (14 në Shëngjin dhe një në Lezhë) që ka çifti Ndocaj në bashkëpronësi sipas deklaratës së pasurisë në ILDKPKI kapin vlerën e 34 580 220 lekëve. Ndërsa dy apartamentet e tjera dhe një bodrum që janë porositur nga çifti Ndocaj në Tiranë kapin vlerën e 496 160 eurove. Çifti Ndocaj rezulton se ka edhe tri dyqane në qytetin e Lezhës, dy prej tyre në emër të Valentina Ndocajt, ku të tre së bashku kapin vlerën e 12 640 000 lekëve, përkatësisht dy dyqane të blerë në vitin 2010, që së bashku kanë vlerën e 10 360 000 lekëve dhe një tjetër dyqan i blerë në vitin 2013 me vlerë 2 280 000 lekë. Sipas deklaratës së tij, deputeti Ndocaj disponon 1200 m² truall në Shëngjin, si dhe 16000 m² tokë e trashëguar e përfituar nga reforma e ligjit 7501.
Kreditë
Përtej gjithë pasurisë së deklaruar në prona, deputeti Ndocaj, së bashku me bashkëshorten, kanë dhe një vlerë të madhe lekësh të pashlyer, si kreditorë të kredive që kanë marrë të dy së bashku. Sipas deklaratës zyrtare të depozituar në ILDKPKI, rezulton se shuma e pashlyer e kredive që kanë marrë çifti Ndocaj kap vlerën e 710 000 eurove. Kështu, të dy së bashku numërojnë tri kredi të marra së bashku. Për një kredi të marrë që në vitin 2002 me vlerën 185 000 euro, për të cilën janë ende në proces gjyqësor, rezulton se kanë për të shlyer edhe 130 000 euro detyrim financiar. Ndërkohë që për një tjetër kredi të marrë që në vitin 2007 me vlerën e 325 000 eurove rezulton se deputeti ka edhe 280 000 euro detyrim financiar të pashlyer, ndërsa nga kredia e fundit me vlerën e 435 000 eurove, çifti Ndocaj ka edhe 300 000 euro detyrim financiar për të shlyer.
Makina dhe biznesi
Teksa deputeti Ndocaj, së bashku me bashkëshorten deklarojnë shuma të mëdha lekësh, të cilat i kanë investuar në blerje apartamentesh apo dhe dyqanesh, në deklaratën zyrtare të dorëzuar në ILDKPKI nuk rezulton asnjë llogari bankare apo dhe automjete në pronësi të tyre. Në emër të tyre nuk ka asnjë emër firme apo kompanie sikurse janë shprehur të dy për aktivitetin e tyre në fushën e biznesit të ndërtimeve në shtetin italian. Pas marrjes së mandatit të deputetit në fund të muajit tetor të vitit të kaluar, Eduart Ndocaj është parë që të vijë në ambientet e Parlamentit me një automjet, për të cilin vetë është shprehur se e ka blerë në Itali disa vite më parë dhe se është e njëjta makinë e përdorur nga aktori i famshëm Al Pacino në një prej filmave më të njohur të kinematografisë botërore. Në një intervistë televizive, deputeti “kauboj” ka thënë se e ka blerë këtë makinë para marrjes së mandatit të deputetit për një shumë prej 80 mijë eurosh, por që në deklaratën e pasurisë dorëzuar në ILDKPKI nuk rezulton të jetë në pronësi të tij asnjë automjet ashtu sikurse nuk ka të deklaruar edhe një faturë prej 600 milionë lekësh, për të cilën në media është shprehur se e ka shpenzuar për Partinë Socialiste në fushatën zgjedhore të 2013-s.
Deklarata:
– 14 apartamente në Shëngjin me sipërfaqe 725,92 m² + 2 bodrume: 32 580 220 lekë
– Shtëpi private në proces legalizimi në Shëndëlli, Sarandë 600 m² + 1200 m² truall: 100 mijë euro
– Kontratë sipërmarrjeje e datës 24.10.2012 për apartament 320,30 m²; bodrum 666 m², si dhe apartament po në Tiranë 94,3 m²: 496 160 euro
– 1200 m² truall në Shëngjin blerë në 2011-n: 2 000 000 lekë
– Dyqan në Lezhë, 57 m² blerë në 2013-n: 2 280 000 lekë
– 16000 m² tokë e trashëguar dhe e përfituar nga reforma e ligjit 7501
– Apartament në Itali 480 m² / Apartament në Itali 100 m² dhe 2000 m² truall të blera me investim bankar: 650 000 euro
– Apartament në Itali 180 m² me dy garazhe makinash: 300 000 euro, nga e cila 180 000 euro me investim bankar
– 325 000 euro kredi huamarrjeje në qershor 2007, kreditorë Eduart dhe Valentina Ndocaj: 280 000 euro shuma e detyrimit financiar e pashlyer.
– Kredi huamarrjeje me vlerë 185 000 euro marrë në 2002-shin në proces gjyqësor: 130 000 euro shuma e detyrimit financiar e pashlyer.
– Kredi huamarrjeje me vlerë 435 000 euro: 300 000 euro shuma e detyrimit financiar e pashlyer.
Bashkëshortja, Valentina Ndocaj
– 2 dyqane në Lezhë me sipërfaqe 259 m²: 10 360 000 lekë
– Apartament në Lezhë 69 m²: 2 000 000 lekë
Mandati i bujshëm i deputetit emigrant
Eduart Ndocaj që prej 29 tetorit të vitit të kaluar mban postin e deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, mandat të cilin e fitoi pas dorëheqjes së Arben Ndokës dhe mospranimit të këtij mandati nga Ndrec Deda, i cili ishte në listën shumemërore për deputet të PS-së në Qarkun Lezhë. I njohur si deputeti “kauboj”, Ndocaj radhitet si deputet i PS-së, edhe pse është nënkryetar i Partisë Demokristiane të Shqipërisë drejtuar nga Nard Ndoka. Ndocaj mbahet mend jo vetëm për publikimin e një fature që kishte shpenzuar për fushatën zgjedhore të PS-së në zgjedhjet e 2013-s, por edhe për një faturë prej tetë mijë eurosh që kishte paguar për një drekë me kreun e PS-së, Edi Rama, në Milano. Si objektiv të tij, Ndocaj ka përfaqësimin dhe mbrojtjen e votës së emigrantëve, por edhe denoncimin e padrejtësisë që, sipas tij, i bëhet këtij populli. Ai prej vitesh ka qenë emigrant në Itali dhe kohët e fundit u angazhua në politikë, duke i renditur në listën shumemërore për deputet të PS-së për Qarkun e Lezhës. Ai bëri bujë për faktin se prej kohësh kërkonte mandatin e deputetit, nisur nga qëndrimet që mbante, të cilat jo rrallëherë ishin dhe kundër qeverisë “Rama” e ministrave të tij. Pas marrjes së mandatit, ai u përfol se do të kalonte te PDK-ja, por në fund ai vendosi që të qëndrojë në grupin parlamentar të PS-së. /Shqip/