Pasuritë e paluajtshme konsolidojnë kryesimin e investimeve të huaja

Pasuritë e paluajtshme konsolidojnë kryesimin e investimeve të huaja

Foto ilustruese

Investimet e shtetasve të huaj në pasuri të paluajtshme në Shqipëri ngelën të larta edhe në tremujorin e tretë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e dytë të këtij viti investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 77 milionë eurove, 26% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e tremujorit të tretë e konsolidon sektorin e pasurive të paluajtshme në kryesimin e investimeve të huaja. Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për 9-mujorin 2022 arritën vlerën e 225 milionë eurove, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Investimet në këtë sektor përbëjnë rreth 23% të investimeve të huaja për këtë vit.

Blerjet e shtetasve të huaj po bëhen një faktor me peshë në tregun e pronave në Shqipëri dhe sipas agjentëve të tregut kërkesa në këtë segment ka luajtur një rol të konsiderueshëm në rritjen e çmimit të pronave gjatë viteve të fundit.

Për shkak të pozicionit të Shqipërisë, klimës, sistemit të favorshëm të taksimit dhe çmimeve më të ulëta në krahasim me vendet ku jetojnë, gjithnjë e më shumë shtetas të huaj po vendosin të investojnë në prona në Shqipëri, sidomos në zonat bregdetare.

Sektor tjetër që po shënon rritje të ndjeshme të investimeve të huaja këtë vit është ai i industrisë nxjerrëse. Për tremujorin e tretë, ky sektor kryesoi renditjen e investimeve të huaja me 88 milionë euro, 66% më shumë krahasuar me të njëjtën periduhë të vitit 2021.

Për 9-mujorin, investimet në sektorin e industrisë nxjerrëse arritën në 202 milionë euro, në rritje vjetore me 36%. Industria nxjerrëse renditet e dyta, pas pasurive të paluajtshme, në tërheqjen e investimeve të huaja këtë vit.

Flukset në këtë sektor konsistojnë kryesisht në fitime të riinvestuara të kompanive ekzistuese në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto. Rritja e çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare këtë vit duket se ka nxitur edhe shtimin e investimeve të huaja në nxjerrjen e naftës në Shqipëri.

Rritje edhe më të lartë shënuan investimet në sektorin energjetik, që për 9-mujorin arritën në 133 milionë euro, në rritje me 189% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Energjetika udhëhoqi rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri për vite me radhë, kryesisht falë investimit madhor në gazsjellësin TAP, por edhe projekteve të tjera të rëndësishme të investimeve të huaja, sidomos në energjinë hidrike.

Pas përfundimit të këtyre projekteve, ritmi i investimeve këtyre investimeve shënoi një rënie, por ky vit po shfaq sinjale të një rritjeje të re. Rritja e çmimeve të energjisë kanë rritur interesin rreth energjive të rinovueshme dhe sidomos, në vitet e fundit, rreth energjisë nga burimet diellore.

Një tjetër sektor ku këtë vit po shënohet rritje e ndjeshme e investimeve të huaja direkte është industria përpunuese. Për 9-mujorin, investimet e huaja në këtë sektor arritën në 115 milionë euro, në rritje me 62% krahasuar me një vit më parë. Deri tani, investimet e huaja në industirnë përpunuese kanë qenë kryesisht të përqendruara në sektorët e fasonerisë, përfshirë degën e industrisë automotive.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte në 9-mujorin e parë të vitit arritën një shifër rekord prej 984 milionë eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e investimeve të huaja direkte deri tani këtë vit paraqitet në rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja tha garantohet

Kushtetuesja tha garantohet "vota parapëlyese në 2/3 e listës", shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive