PATOS- Segmenti rrugor Frashër – Belinë, me gjatësi 2 km, është tërësisht i amortizuar. Çarjet në asfalt janë kthyer në makthin e drejtuesve të mjeteve, veçanërisht fermerëve që përshkojnë rrugën disa herë në ditë për të shkuar në tokat e tyre.
Jo vetëm që asfalti është çarë por në të ka filluar të mbijë bari, ç’ka dëshmon se ka mbi tre vite në degradim.
Drejtuesit e mjeteve duhet të kryejnë manovra nga njëri kah në tjetrin për të shmangur gropat. Gjatë natës dhe në kohë me reshje situata bëhet edhe më e vështirë.
Ky aks rrugor përdoret nga banorët e 8 fshatrave, por edhe nga banorë të Roskovecit dhe Beratit që shkojnë drejt Fierit. Në këtë segment qarkullonin deri para dy vitesh dhe autobotet e mjete me tonazh të rëndë të kompanisë "Bankers Petroleum", për shkak se eshte zonë naftëmbajtëse.
Kryetari i Bashkisë Patos, Fatjon Duro, i kontaktuar nga report tv ka pohuar se kjo problematikë shumëvjeçare është parashikuar për rikonstruksion në buxhetin afatmesëm e vitit 2026.
Sakaq, specialistët thanë se rruga jo vetëm është ndërtuar keq para nje dekade por kanë ndikuar dhe dy faktorë: Formacioni kënetor i tokës dhe qarkullimi i mjeteve të tonazhit te rendë të naftës.
Komente







