Patozi: Qeveria ka rënë. Rama:
Do bënim opozitë më mirë se ju

Patozi: Qeveria ka rënë. Rama:<br />Do bënim opozitë më mirë se ju
TIRANE - Kryeministri Edi Rama është përballur i vetëm me opozitën në debatin e ndezur që shoqëroi këtë seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo pasi deputetët dhe ministrat e LSI-së, forcës aleate politike, nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë fjalimeve të tij të cilat edhe këtë radhë kishin në qendër aferën e “CEZ-it”. Edhe kryeparlamentari Ilir Meta, njëherësh kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim drejtoi seancën vetëm në nisje të saj, pasi më tej pati një takim me raportuesin për Shqipërinë në PE Knut Fleckenstein i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë. Pvarësisht mungesës së liderit historik të së djathtës, Sali Berisha i cili shoqëron Bashën në Kongresin e Partive Popullore Evropian që mbahet në Madrid, përplasjet mes deputetëve demokratë dhe kryeministrit Edi Rama ishin të forta. Çka nxiti fillimisht reagimin e shefit të mazhorancës, ishte fjalimi i gjatë dhe i ashpër i ish-kreut të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi. Ai e cilësoi këtë qeveri e cila është në gjysmën e mandatit të parë, më të dobëtën me të cilën është përballur ndonjëherë populli shqiptar prej vitit 1992.
 
“Këta e shqyen në mes Shqipërinë që ditën e parë të pushtetit të tyre duke tërhequr secili nga vetja për të rrëmbyer copën më të madhe. Sepse për gjatë 2 viteve grabitën pa mëshirë gjithçka në këtë tokë duke përgjuar e xhelozuar njëri-tjetrin dhe sot ngjajnë si dy banda mafioze që nuk mund të jetojnë në të njëjtin territor, sepse ose njëra duhet të vrasë tjetrën, ose e dyta duhet të pranojë pushtetin e të parës”, tha Patozi. Fjala e plote e Patozit

patozi

Për të treguar se situata në Shqipëri është ndryshe nga çfarë e raportojnë demokratët, kryeministri Rama ju referua raporteve më të fundit të Standard and Poors dhe Bankës Botërore. 
 
Rama:  Dua ta falenderoj parafolësin për nxitjen që më dha me fjalimin e tij, duke folur për meritat e mëdha...tek CEZ-i kemi një pasqyrë të qartë për dallimin mes nesh dhe jush. Më lejoni t’ju sjell në vëmendje se Standard and Poors jo vetëm ka afirmuar pozicionin e rritjes së ekonomisë duke konsoliduar atë arritje që i takon kësaj qeverie lidhur me këtë pozicion por edhe ka paralajmëruar në raportin e vet më të fundit se nëse, citoj – pasqyra pozitive e sotme e Shqipërisë do të plotësohet me vazhdimësinë në raport me angazhimet e marra atëherë janë krijuar kushtet që S&P ta rrisë retingun e Shqipërisë në 6 muajt e ardhshëm. Më lejoni të veçoj çfarë kjo kompani botërisht e mirënjohur thekson në kundërshtim me të gjitha ato që thoni ju. Qeveria është duke forcuar institucionet fiskale dhe financimin dhe menaxhimin e sektorit publik. Reformat që kanë adresuar sistemi i pensioneve, qeverisja vendore, administrimi fiskal dhe sektorin e energjisë kanë sjellë rezultate të qenësishme ku veçohen përpjekjet posaçërisht në sektorin e energjisë si veçanërisht të suksesshme.

Banka Botërore për Shqipërinë thotë në raport: Ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet në vitin 2015, e mbështetur nga investimet private dhe eksportet neto. Një rritje që vjen si rezultat i politikave tona, nga ai model ekonomik i shteruar si ai juaji. Investimet e huaja direkte u rritën, dhe flukset hyrëse gjithashtu duke kontribuar pozitivisht në financimin e deficitit koherent. Përpiquni mos ta përfshini edhe BB në konspiracionin e madh kur në qendër keni dy partitë e këtij koalicioni, bandat siç i quani ju. Rritja ekonomike parashikohet 2.7 në 2015. E latë Shqipërinë me zero pikë presje asgjë, jemi sot me një trend rritje ekonomike të qëndrueshme edhe pse nuk na bën të lumtur apo aq të kuturisur saç ishit ju për ti thënë shqiptarëve se ja ku e keni mrekullinë. Ju jap një mundësi për të zbritur në tokë dhe për të mos kërkuar qiqra në hellin e propagandës suaj. Ritmi i rritjes së ekonomisë është ndër më të lartit thotë BB në raportin e saj., duke lënë mbrapa Maqedoni, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën
.

Pjesa që solli reagimin edhe me të qeshura të opozitës, ishte kur kryeministri Rama, duke ju referuar raportit të BB-së tha se papunësia në Shqipëri është më e ulëta në Rajon. “Do të ishte anormale sikur ju të mos qeshnit dhe të qeshurat tuaja janë shprehje e atij normaliteti që prej dy vjetësh ju mban ju jashtë realitetit. Ju vazhdoni qeshni njësoj si ata që i jepnin barë traktorit kur e panë për herë të parë se në atë gjendje mentale jeni. Nëse ne do të investoheshin të bënim sot opozitën do dinim ta banimin shumë më mirë se ju. Ju jeni një parti që nuk keni as lidership as ekip as program dhe ju ka mbetur ora aty ku ndaloi kur shqiptarët ju hodhën nga karriget. Në det apo në kënetë këtë gjejeni vetë se ku jeni, mbi ujë nuk jeni, nënë ujë jeni. A kënete a deti këtë e provoni ju”, tha Rama. 
 
Mungesën e LSI-së në seancë e evidentoi edhe ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cila tha se kryeministri Rama është braktisur nga Ilir Meta.  “Sot qeveria ka rënë”, theksoi deputetja demokrate duke kërkuar njëherësh mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi sipas saj qeveria ka dështuar.

Rama tha se vendi nuk mund të shkojë sërish drejt zgjedhjeve kur 21 qershori i "Lokaleve 2015" konfirmoi sërish rezultatin e thellë të fitores që solli në pushtet koalicionin e majtë. “Halle-halle kjo dynja, halli-hallit nuk i ngjan” është bërë SHQUP. Ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje se keni halle ju. Gjejeni punë opozitës, merruni me gjëra serioze, por që ta bëni këtë ju duhet një program dhe s’keni, por edhe ta bëni këtu ju duhet një lider e lider s’keni”, - tha Rama.

rama

Rama: Ne na kërkoni llogari për CEZ?! Ju qeverisni fshatshe
Kryeministri Rama iu kundërpërgjigj Patozit për çështjen e CEZ i cili tha se kjo është afera më e madhe. Shefi i qeverisë tha se është e patolerueshme që opozita kërkon llogari për gjendjen ku e çoi vetë sistemin energjetik në vend gjatë qeverisjes ”Berisha”

Patozi: Çështja e CEZ i ka prodhuar tashmë efektet e veta politike, qoftë dhe me paqartësitë që krijohen nga lëvizjet dhe deklaratat kaotike të atyre që u djeg më shumë, që mendoj se janë tërësisht të ekspozuar para publikut. Unë nuk mund ta di me saktësi sot se cili është përfituesi më i madh i kësaj afere dhe sa është shuma që ka përlarë ai me një dorë. Po di me siguri që prej kohësh kjo qeveri prapa meje nuk ekziston më”

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Antikorrupsioni/ Gjykata Kushtetuese refuzon Komisionin ‘Xhafaj’, kryetarja Zaçaj: S'mund të marrim pjesë në aktivitete ligjbërjeje!

Antikorrupsioni/ Gjykata Kushtetuese refuzon Komisionin ‘Xhafaj’, kryetarja Zaçaj: S'mund të marrim pjesë në aktivitete ligjbërjeje!