TIRANË – Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, nuk do të kandidojë për kreun e kësaj partie, pasi ai e ndien veten po aq përgjegjës sa edhe kryetari Berisha për humbjen e zgjedhjeve. Në një deklaratë për mediat, Patozi pohoi sot se mospjesëmarrja në kandidim nuk do të thotë indiferentizëm ndaj procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri, por në të kundërt, vëmendje maksimale ndaj kandidaturave që do të paraqiten dhe përbuzje ndaj çdo sharlatani që do të tentojë të përfitojë nga ky proces.
 
Patozi tha: “Unë jam pjesë e përgjegjësisë, sepse jam skalioni i dytë menjëhërë pas z. Berisha dhe në çastin që kryetari i partisë merr të gjitha përgjegjësitë, në radhë të dytë më takon mua të marr të gjitha përgjegjësitë e mia.
 
Duke e ndjerë veten pjesë të kësaj përgjegjësie, unë nuk jam pjesë e këtij procesi; nuk do të  kandidoj për kreun e Partisë Demokratike, por mund t'ju them paraprakisht se do të vlerësoj dhe respektoj çdo kandidaturë dinjitoze  e do të hedh poshtë me neveri çdo sharlatan që përpiqet të përfitojë diçka në këtë proces krejtësisht normal dhe krejtësisht demokratik.”
 
Patozi theksoi në fjalën e tij se “PD-ja në këtë fazë ka nevojë për një garë reale po aq sa edhe për një “fair play”, pra, për një lojë të ndershme brenda llojit. Puna e parë që bën kryetari i ri është që i shtrin dorën, bashkëpunimit të rivalëve të mundshëm apo rivalëve brenda llojit, ndërkohë që të tjerët duhet t’i urojnë atij fitoren dhe të bëhen pjesë e së ardhmes së PD-së.”
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)