Proceset e integrimit janë shumë komplekse dhe integrale për çdo vend dhe qeverisje që synon të jetë e suksesshme në këtë proces, jo thjesht si qëllim në vetvete, por si instrumenti i duhur për të rritur përgjegjshmërinë dhe standardin e shërbimit ndaj qytetarit, duke synuar mirëqenien e tij. Eksperienca e vendeve të tjera ka treguar se shkalla e përgjegjshmërisë së qeverisjes dhe qeverive përbën çelësin e proceseve të suksesshme integruese. Në këtë këndvështrim, bazuar në standardin ndërkombëtar ISSAI 12 “Vlerat dhe Përfitimet nga SAI-t: të bësh diferencën në jetën e qytetarëve”, Institucionet Supreme të Auditimit(SAI-t) luajnë një rol jetik për rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit të qeverive të vendeve përkatëse.
Nuk ishte i rastësishëm fakti që një ditë përpara Samitit të Kryetarëve të shteteve të Europës dhe të Ballkanit Perëndimor, në të njëjtën sallë u mbajt Konferenca e Nivelit të Lartë “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në rritjen e Përgjegjshmërisë, Transparencës dhe Integritetit në Sektorin Publik”, në Sofje të Bullgarisë, organizuar nga SAI i Bullgarisë.
Prezantimi i eksperiencave nga SAI-t e vendeve anëtare dhe vendeve kandidate të BE-së mundësoi të identifikoheshin praktikat më të mira jo vetëm në nivel rajonal, por edhe më gjerë. Eksperienca e Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me fitimin dhe mbajtjen e pavarësisë reale të auditimit të jashtëm publik në kontekstin shqiptar u cilësua si rasti studimor më i mirë nga përfaqësuesit e Gjykatës Evropiane të Audituesve, fakt i cili u përcoll edhe përtej asaj salle. Tashmë, konsiderohet si pjesë e vlerës së shtuar në zinxhirin e praktikave më të mira në rrjetin ndërkombëtar të institucioneve supreme të auditimit, e për rrjedhojë kjo eksperiencë është pjesë e punimeve studimore të fushës së auditimit, përfshirë edhe qarqet akademike. Jo thjeshtë për faktin e pohuar nga KLSH, por për faktet e provuara nga procesi i rishikimit mes kolegëve (Peer Riview), i kryer nga Gjykata Austriake e Auditimit.
Një institucion modern i auditimit të jashtëm publik ka një rol jetik në sigurimin e qytetarëve nëse qeveria përdor siç duhet taksat dhe asetet e tyre. Megjithatë, është e vështirë për qytetarët të besojnë garantin e përgjegjshmërisë së qeverisë, pra institucionin e auditimit të jashtëm publik, nëse ky institucion nuk është i pavarur.
Diskutimet mbi pavarësinë e SAI-ve fokusohen në kornizën kushtetuese dhe ligjore, e sanksionuar si në Deklaratën e Limës të vitit 1977, e konsideruar si “Magna Carta”, Kushtetuta e institucioneve supreme të auditimit, ashtu edhe në Deklaratën e Meksikos të vitit 2007. Mirëpo, sikurse është argumentuar dhe provuar, pavarësia institucionale përfshin shumë më tepër se sa thjesht ligjet dhe rregullat. Po aq sa të rëndësishme janë kushtetuta dhe ligjet për të mundësuar pavarësinë, po aq jetik dhe themelor për pavarësinë e KLSH-së është forcimi dhe konsolidimi i institucionit, nëpërmjet veprimit, çdo ditë, në përmbushje të misionit kushtetues, si shërbestar i qytetarit dhe agjent i Kuvendit. Të qenit shërbestar i qytetarit përbën moton dhe mesazhin themelor të strategjive të zhvillimit të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t për vitet 2017-2022.
Ruajtja në terma realë e pavarësisë operative konsiderohet si një sfidë e vazhdueshme dhe ajo më e vështira. Pavarësia institucionale dhe operative e një SAI sfidohet në çdo auditim, në çdo gjetje, në çdo konkluzion dhe në çdo rekomandim. Sikurse Kryetari Leskaj cilësoi në Konferencën e Nivelit të Lartë në Sofje, “Ruajtja e pavarësisë institucionale nuk është vetëm një çështje e ruajtjes së ekuilibrit, por gjithashtu ka të bëjë me mençurinë institucionale për të zgjedhur momentin e duhur, për të zgjedhur fjalët e duhura, për të zgjedhur rekomandimin e duhur dhe për të zgjedhur partnerët strategjikë”.
Për më tepër, përtej Deklaratës së Meksikos, korniza e standardeve ndërkombëtare të SAI-ve kërkon nga institucionet e auditimit të jashtëm publik që ta konsiderojnë vetveten si institucione profesionale, që realizojnë aktivitetin auditues bazuar në vlerësimin e riskut. Qasje kjo që ka ndikim në pavarësinë institucionale, rëndësia e së cilës vjen në rritje. Në këtë kontekst, progresi profesional dhe zbatimi i nivelit të 4-të të këtyre standardeve nga audituesit e KLSH-së përbën sfidën kryesore dhe një domosdoshmëri për një pavarësi institucionale efektive.
Për këto arsye, pavarësia nuk mund të “arrihet”, por fitohet çdo ditë, jo si një privilegj, por si një përgjegjësi përpara qytetarit, i cili përfaqësohet nga Parlamenti para të cilit KLSH raporton, por jo vetëm. KLSH, në zbatim të strategjisë institucionale për rritjen e transparencës së punës audituese dhe si institucion i përgjegjshëm, informon direkt publikun nëpërmjet shkrimeve të audituesve në shtypin e përditshëm, në partneritet me median, mbi gjetjet dhe rekomandimet kryesore dhe me interesin me lartë publik, të adresuara institucioneve publike të audituara. Kjo qasje është cilësuar si unike nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Ajo kontribuon në kultivimin e kulturës së transparencës dhe përgjegjshmërisë, duke qenë SAI një organizatë që udhëheq nëpërmjet shembullit.
Qasja e KLSH-së u vlerësua nga i gjithë komuniteti i SAI-ve evropiane. Gjykata e Llogarive e Spanjës, ku ndodhet edhe Sekretariati i EUROSAI-t, organizatës rajonale te INTOSAI-t për Evropën, në vlerësim të eksperiencës të përcjellë në Sofje nga SAI shqiptar, e ftoi Kryetarin Leskaj për një prezantim të sfidave për pavarësinë reale të SAI-t, në emër të EUROSAI-t, në një tryeze të rrumbullaket “SAI-et dhe ndërveprimi me botën akademike”, e cila u organizua po në Spanjë më 13 qershor 2018.
Ballafaqimi i eksperiencës shqiptare me atë ndërkombëtare, në të cilën kontesti i vendit ka rolin e vet, mundëson identifikimin e aspekteve të domosdoshme dhe instrumenteve të duhur për përmirësimin dhe konsolidimin e një pavarësie efektive, duke sjelle rritjen e vlerës dhe efektivitetin e KLSH për qytetarin.
Pavarësia e KLSH nuk është qellim në vetvete por instrument për realizuar misionin kushtetues dhe objektivat institucional. Një institucion i pavarur nga politika, që funksionon bazuar në Kushtetutën e vendit, Ligjin bazë, manualet e auditimit e standardet ndërkombëtare të auditimit të jashtëm publik, rezolutat e OKB-së, e praktikat më të mira të INTOSAI-t e EUROSAI-t mund të realizojë në interes të qytetarit misionin e vete si “watchdog” i parasë dhe i aseteve publike.
Me te degjeneruar dhe te korruptuar se KLSH nuk gjen Kush e kontrllon klsh Po te kete WETING keta dalin qe si lan as oqeani
Përgjigju