PRISHTINË, 16 Shkurt /ATSH/.-Pavarësisë së Kosovës, shpallur në 17 Shkurtin historik të para 7 viteve, sot iu kushtua ora e parë e mësimit në shkollat kosovare.
Në këtë kuadër, Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, vizitoi sot nxënësit e shkollës fillore "Faik Konica" në Prishtinë.
Në një bashkëbisedim me nxënësit, Jahjaga foli për rëndësinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe për punën që po bëhet në ndërtimin e shtetit.
Nxënësit e shkollës "Faik Konica" prezantuan edhe vizatimet e bëra për 17 Shkurtin, ditën e Pavarësisë
Vizita e Presidentes Jahjaga në njërën nga shkollat fillore në Prishtinë është pjesë e aktiviteteve me të cilat shënohet përvjetori i pavarësisë së Kosoëvës./b.j/a.gjonaj/f.n/