PD: Aksioni i INUK në Hudënisht
për fshat turistik të kryetarit të PS

PD: Aksioni i INUK në Hudënisht<br />për fshat turistik të kryetarit të PS
TIRANE - Partia Demokratike ka reaguar ndaj aksionit të ndërmarrë nga ana e Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në aksin Pogradec-Lin, në kuadër të rehabilitimit të kësaj zone.
 
Në një dalje për mediat, deputeti demokrat Gjergji Papa ka denoncuar qeverinë për shembjen e disa ndërtesave të rreth 53 familjeve në Pogradec. Sipas PD-së shembjet bëhen për të pastruar terrenin për ndërtimin e një fshati turistik të deputetit dhe njëkohësisht kryetari të PS-së në Pogradec Ilir Xhakollit. Përmes një shkrese të publikuar ditën e sotme, PD thekson se ajo është provë e skemës korrputive të klienteliste me pronat e Hudenishtit, për të ndërtuar fshatin turistik të deputetit dhe kryetarit të PS-së së Pogradecit.

Më poshtë fjala e plotë e deputetit Gjegjri Papa: 
Shembja e pasurisë së 53 familjeve në Hudenisht, në kundërshtim me ligjin, pa procedurë, në shkelje të të drejtës themelore të pronës, bëhet për arsye klienteliste e korruptive të Edi Ramës. Shtëpitë, hotelet, dhe pasuritë e qytetarëve, po prishen për t’i hapur rrugë investimit, fshatit turistik të kryetarit të Partisë Socialite për Pogradecin dhe deputetit të Edi Ramës, Ilir Xhakolli. Ja pra kush është e vërteta. Kemi këtu vendimin për dhënien në përdorim të tokës që i jep të drejten deputetit të Edi Ramës për të ndërtuar një ambjent per aktivitet turistik me sipërfaqe 45 mijë metra katrorë. U prishet me dhunë prona e ligjshme qytetarëve, pa paraqitur asnjë shkresë zyrtare, për të pastruar terrenin për biznesin e qeveritarëve. Njeriu i Edi Ramës jo vetëm e do gjithë Hudenishtin për vete, por nuk do as konkurencë. Ky rekord korruptiv, ku dëbohen qytetarët e vendit nga pronat e tyre të ligjshme, për të favorizuar biznesin e Kryeministrit dhe deputetit të tij, po ndodh sot ditën për diell në sytë e qytetarëve. Kjo është oligarkia në veprim, që merr përvetëson pasurinë publike, shkatërron pasurinë e qytetarëve, që nuk ndalet para asgjëje për interesat personale. Edi Rama refuzoi në mënyrë të përsëritur të dëgjonte zërin e banorëve të Hudenishtit, që kanë investuar mundin e djersën e jetës, refuzoi të dëgjonte padrejtësinë që po u bëhej. Po ja ku del e vërteta. Nuk kemi të bëjmë thjesht me arrogancën e zakonshme, me armiqësinë që kryeministri tregon ndaj qytetarëve. Por kemi të bëjmë me biznesin e tij dhe të deputetit të tij. Ky korrupsion tronditës, nuk do të lejohet. Ne ftojmë qytetarët ta kundërshtojmë me cdo mjet. Partia Demokratike do të jetë në krah të tyre, dhe zotohet publikisht se do të mbrojë të drejtat e tyre deri në fund. E keqja do të ndalet. Askush nuk do të gëzojë frytet e zullimit më të pashembullt të Edi Ramës dhe klientelës së tij.

vendimi



PS: Pranë liqenit të Pogradecit, vetëm parqe e pemë, jo fshatra turistikë
Por nga selia e Partisë Socialiste, deputetja Blerina Gjylameti tha se opozita vazhdon me gënjeshtra dhe shpifje. Sipas saj ndërtimet që po prishen në vijën liqenore të Pogradecit do të zëvendësohen me parqe dhe pemë dhe jo me fshatra turistikë. Shembjet e ndërtimeve të paligjshme dhe shpronësimet që Qeveria është duke bërë buzë liqenit të Pogradecit kanë qënë gjatë dhjetorit, një temë e nxehtë debati ndërmjet Qeverisë dhe opozitës.


Deklarata e plotë e deputetes Blerina Gjylameti
Çmenduria e Partisë Demokratike nuk ka fund. E duket se viti i ri e ka zënë opozitën edhe më keq se 2014. Më shumë gënjeshtra, më shumë shpifje. Akuzojnë sot deputetin e Partisë Socialiste se gjoja do ndërtoka fshat turistik m’u aty ku po prishen ndërtimet e shpronësuara në vijën liqenore të Pogradecit, por e vërteta është se ndërtimet po prishen jo për të ndërtuar fshatra turistike, por për ta kthyer hapësirën publike tek qytetarët, për të mbjellë më shumë pemë, më shumë parqe.

Ndërtimet po prishen në bazë të legjislacionit, duke kryer të gjitha veprimet e shpronësimit ndaj pronarëve. Ndaj, qytetarët të jenë të sigurt, nuk ka asnjë pallat, asnjë fshat turistik, asnjë ndërtim, jo të ndonjë deputeti të maxhorancës, por të askujt, që do të ndërtohet aty ku INUK po prish ndërtimet që kanë zaptuar hapësirat publike.

Sa i takon Partisë Demokratike, është për të ardhur keq për nivelin e mashtrimit publik që kanë arritur. Gënje e mashtro, hidh baltë e fabriko të paqena, se ndoshta diçka do të mbesë. Njësoj si tetë vjet në qeveri, edhe tani, filozofia është e njëjtë. Por njësoj siç nuk u besoi njeri në 2013, njësoj nuk do i besojnë as në 2015.

Ne inkurajojmë qeverinë të vazhdoje punën e nisur pasi veprimtaria e INUK është ligjore dhe në interes të qytetarëve.



Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)