PD akuza për Dzanashvilin
Balla: Iku modeli “Argita”

PD akuza për Dzanashvilin<br />Balla: Iku modeli “Argita”
TIRANE- Partia Demokratike ka denoncuar dje në seancë plenare lidhjet mes qeverisë dhe biznesmentit gjeorgjiano-izraelit, Amiran Dzanashvili. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka e ka vënë theksin në denoncimin e tij te fakti që një nga katër përfaqësuesit ligjorë të tij në Shqipëri, ishte bashkëshortja e kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliajt.

“Ky personazh i njohur i krimit dhe mafies ndërkombëtare rezulton në Shqipëri i lidhur, sipas dokumenteve që sot janë në Prokurori, me deputetë, të cilët rezultojnë edhe ata me precedentë penalë. Ajola Xoxa, e cila në dokumentet që zotëron Prokuroria, rezulton si një nga përfaqësuesit me të drejta të plota ligjore në Shqipëri të Dzanashvilit”, deklaroi Paloka.

Ndërkohë në emër të mazhorancës, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka sqaruar se bashkëshortja e Veliajt në këtë çështje, ka kryer vetëm regjistrimin e biznesmenit në Shqipëri dhe asgjë më shumë. Në fjalën e tij, Balla i kujtoj opozitës kohën kur qeveriste e djathta, periudhë në të cilën biznesmenët e huaj duhet të paguanin përqindje te vajza e ish-kryeministrit Berisha. “Po është e vërtetë që modeli juaj ishte që, kushdo biznesmen që vinte në Shqipëri duhet të kalonte nga zyra e Argitës.

Paguante 3% te zyra avokatore e Argitës, dhe pastaj fillonte investimi. E harruat ju Zafar Ansarin, i cili erdhi në Tiranë dhe iu kërkua 3% nga Argita? Apo harruar Damir Fazliçin, përsëri tek Argita?”, u shpreh Balla. Akuza në drejtim të ish-ministrit Veliaj dhe bashkëoshortes së tij ka artikuluar dje në seancë edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Sipas tij, akuzat e artikuluara më parë tashmë janë të provuara me dokumenta dhe fakte. Berisha nuk akuzoi sërish biznesmenin Dzanashvili, pasi gjatë kohës që ai ishte duke folur në seancë plenare vetë biznesmeni kishte rrëfyer marrëdhënien dhe takimet me Berishën në Shqipëri e Israel.

Përplasja
Pas shumë seancave plenare mungese, debati mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha i’u rikthye Parlamentit. Berisha akuzoi kryeministrin si të rrezikshëm për shqiptarët, për shkak se ka rritur në mënyrë të përshpejtuar borxhin publik. “Ky njeri bërtiste i tërbuar nëpër tribuna për borxhin por çfarë ndodhi me kredinë që ua shet me mburrje, e çon në 80% borxhin kur ekonomia është në pikiatë, eksportet kanë rënë me 13%”.

Çfarë bëre ti në dy vite, thuaju shqiptarëve! Kullën e turpit në zemër të Korçës. E urren çdo korçar. Vetëm për imitim të vetes së tij?”, deklaroi Berisha. Ndërkohë kryeministri në fjalën e tij i bëri thirrje opozitës të reflektojë dhe të marrë veten nga humbja e zgjedhjeve të 23 qershorit, duke i paralajmëruar për një tjetër goditje edhe më të fortë në 21 qershor.

“Ndoshta 23 qershori ishte një goditje shumë e fortë, edhe nuk keni faj që s’e keni marrë veten ende, por mbase 21 qershori ju ftillon të kuptoni, që e keni lënë këtë vend pa opozitë dhe e keni kthyer këtë të fundit në një tufë njerëzish që mblidhen në Parlament dhe flasin përçart”, tha kryeministri. Berisha akuzoi qeverinë edhe për fondet që kërkon nga Abu-Dabi.

Sipas tij, ministri i Financave ka kërkuar financime nga ky shtet për të rikonstruktuar godinën e Ministrisë së Jashtme, ndërkohë që këtë kërkesë Rama e ka argumentuar duke e cilësuar financimin si donacion dhe jo si borxh. Një moment i tensionuar ka qenë ai mes ish-deputetit socialist Kastriot Islami dhe kryeministrit Rama. Islami nga vendi e ka cilësuar rrugaç kryeministrin, ndërkohë që vetë Rama i ka kërkuar të qetësohej dhe të mos e humbasë durimin.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Formacioni/ Sylvinho me dilema, ja si luan Kombëtarja në Ligën e Kombeve

Formacioni/ Sylvinho me dilema, ja si luan Kombëtarja në Ligën e Kombeve