TIRANE- PD-ja nis të Hënën spastrimet e “tradhtarëve” nga baza e të dhënave të anëtarësisë së Partisë Demokratike.
Konkretisht, duke filluar nga dita e Hënë të gjithë strukturat e PD-së, që nga seksionet e grup-seksionet, deri tek degët e partisë do të fillojnë që të heqin disa nga emrat e anëtarëve, për shkak se një pjesë e mirë e tyre nuk kanë votuar Partinë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të vitit 2013.
Lajmi u bë vetë i ditur nga kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili nga Kurbini, ku mori pjesë në 23 vjetorin e themelimit të degës së partisë në këtë qytet, tha se "të gjitha njësitë e PD-së do t'i nënshtrohen një procesi të evidentimit dhe ripërtëritjes së bazës së të dhënave të anëtarësisë së PD-së, duke hapur njëkohësisht edhe anëtarësimet e reja".

Sipas njoftimit zyrtar të Partisë Demokratike thuhet se: “Kreu i demokratëve Lulzim Basha është ndalur në fjalën e tij në Kurbin edhe në procesin e analizës dhe hapjes së PD. Zoti Basha ka theksuar se duke nisur nga dita e hënë, seksionet, grup-seksionet, degët e PD anembanë Shqipërisë, për një muaj me radhë do i nënshtrohen një procesi rigoroz të evidentimit dhe ripërtëritjes së bazës së të dhënave të anëtarësisë së PD, anëtarësimeve të reja dhe hapjes më të madhe e më të fuqishme që PD ka bërë gjatë historisë së saj 23 vjeçare”.

PROBLEMATIKA
Në kuadër të nisjes së zgjedhjeve për strukturat e reja në të gjithë vendin, Partia Demokratike ka ngritur një grup pune të veçantë për hartimin e një databaze të ri me listat e të gjithë anëtarësisë së PD-së në vend. Po ky grup po bën dhe filtrimin e elektoratit të 23 Qershorit, ku të gjithë “tradhtarët” e PD-së do të hiqen nga listat e anëtarësisë.

Nga selia blu bëhet me dije se numri i këtyre “tradhtarëve” të PD-së është në nivele tejet të larta, që shkon deri në 35% të anëtarësisë së partisë. Kjo procedurë e nisur nga partia më e madhe opozitare nënkupton spastrimin e të gjithë atyre votuesve, të cilët premtuan votën e tyre, por që ditën e zgjedhjeve nuk votuan për PD-në. 


Sipas përllogaritjeve të bërë nga grupi i punës së ngritur nga Partia Demokratike janë rreth 30-35% e anëtarësisë së partisë, e cila theksoi se do të jepnin votën për PD-së por që votuan subjekte të tjera zgjedhore. Këta persona tani janë titulluar si “tradhtarë” nga ana e drejtuesve të lartë të partisë dhe do t'i heqin automatikisht nga lista e anëtarësisë së PD.

Por përjashtimi i tyre nga këto lista bën të detyrueshme hapjen e anëtarësimeve të reja pasi tani më, në prag të zgjedhjeve të brendshme në parti, do të duhet një numër më i lartë anëtarësh pasi sipas të gjitha gjasave, drejtuesit e rinjë të partisë më të madhe opozitare do të zgjidhen me formulën një anëtarë një votë.

Kësisoj me largimin e rreth 35% të anëtarësisë së partisë do të detyroj që këta individ të zëvendesohen nga anëtarë të rinjë. Partia Demokratike është në hapat e fundit të përgatitjes së procesit të ristrukturimit të strukturave të saj në të gjithë vendin, që do të drejtohet nga delegat të cilët do të jenë deputet të PD-së ndërvite.


Shkrimi u publikua sot (25.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)