PD braktis ligjin e kibernetikës
që mbron votimin elektronik

PD braktis ligjin e kibernetikës<br />që mbron votimin elektronik
Qeveria ka sjellë në Kuvend një ligj për sigurinë kibernetike, që ka për qëllim garantimin dhe mbrojtjen e rrjeteve kompjuterike të të gjitha llojeve nga sulmet e mundshme me ndërhyrje të paligjshme elektronike. Ligji është një kërkesë e Bashkimit Evropian dhe merr rëndësi të veçantë këto kohë kur beteja politike mes kampeve është tek votimi elektronik dhe pasiguritë e këtij procesi.

Një nga argumentet e përdorura fort nga kryeministri dhe e majta kundër kërkesës së opozitës për të zhvilluar votim dhe numërim elektronik në 18 qershor, është pikërisht fakti se sistemet tona kompjuterike nuk janë aq të sigurta sa të garantojnë rezultat të pa kontestuar nga palët. Edhe pse ky ligj, që do të sillte “ujë në kanalin” e opozitës, u diskutua dje në disa komisione parlamentare, PD e bojkotoi atë në Komisionin e Integrimit Evropian.

Anëtarë demokratë të këtij komisioni, janë veç Gert Bogdanit dhe Arben Imamit, edhe vetë kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka. Në mbledhjen që u drejtua nga Taulant Balla, pasi Bregu ndodhej në një delegacion në emër të Kuvendit, opozita mungoi duke shpërdoruar një mundësi shfrytëzimi të  kësaj garancie të ligjit të ri në mbështetje të votimit elektronik.  

Socialistët ironizojnë mungesën e opozitës në debatin për ligjin e sigurisë kibernetike në Komisionin e Integrimit, duke thënë se e djathta është ende në gjumë. "Një prej problematikave që përdorimi i teknologjisë ka pasur në një pjesë të vendeve si Holanda ka qenë mungesa e sigurisë kibernetike në sistemin kibernetik. Dhe një nga arsyet se pse nuk e përdor më, ka qenë pikërisht cenimi i kësaj sigurie. Me përjashtim të znj.Bregu e cila ndodhet më një delegacion jashtë Shqipërisë, si përfaqësuese e Kuvendit, pjesa tjetër e deputetëve të opozitës, për fat të keq, nuk janë zgjuar ende nga gjumi",-tha Taulant Balla, nënkryetar i Komisionit të Integrimit.

Edhe pse jo e pranishme në Komisionin e Integrimit, reagimi i opozitës erdhi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua i njëjti ligj. "Paralelisht me masat që po merrni për sigurinë kibernetike, paralelisht merrni masa edhe për sigurinë e votës dhe për të mbrojtur votën nga krimet elektorale që bëni vetë ju si qeveri. Pra, sistemi i votimit dhe i numërimit elektronik është një gjë e thjeshtë që duhet zbatuar në mënyrë që të sigurohet vota",-tha Flamur Noka, deputet i PD-së.

Siguria kibernetike, pra kalimi i të dhënave nëpërmjet internetit është një ndër kushtet që duhet plotësuar nëse Shqipëria vendos të aplikojë votimin ose numërimin elektronik. E pranishme në mbledhjen e Komisionit ishte Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Inovacionit, Milena Harito. Ajo theksoi se fusha dixhitale ka marrë një zhvillim në dhjetë vitet e fundit dhe për rrjedhojë kjo fushë duhet rregulluar me ligj duke u përshtatur edhe me legjislacionin e BE. “Është e vërtetë që kjo fushë nuk ka qenë e rregulluar më parë me ligj në Shqipëri.

Është edhe normale sepse fusha dixhitale është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në 10 vitet e fundit, kështu që ne mendojmë se ka ardhur momenti që kjo fushë të rregullohet me ligj. Dhe në të vërtetë edhe Bashkimi Europian ka krijuar një direktivë të posaçme për sigurinë kibernetike që nga vera e vitit 2016. Kështu le të themi që jemi në një hap edhe në detyrimet që kemi në MSA për rregullimin e kuadrit ligjorë në përputhje me BE”,- tha ndër të tjera ministrja Harito.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mjeku s'mund të kurojë të njëjtin pacient në shtet e privat, e mbështesni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik