Deputeti demokrat, Aldo Bumçi me anë të një konference ka shprehur shqetësimin e Partisë Demokratike për kthimin e Shqipërisë në listën e zezë të transitit të drogës. 
 
“Italia është në alarm për drogën që vjen nga Shqipëria, dhe që ka pushtuar brigjet e saj të jugut”, tha Bumçi, referuar disa deklaratave të disa zyrtarëve italianë për drogën.
 
Kjo sipas deputetit të PD-së, Aldo Bumçi ndodh për arsye të mos profesionalizmit të Policisë së Shtetit.
 
Sipas Bumçit, “PD-ja ka qenë e para që ka dhënë alarmin për riaktivizimin e rrjeteve të drogës në vend, pas shkatërrimit që Edi Rama dhe Saimir Tahiri i bënë Policisë së Shtetit.
 
Ai thotë se “ne kemi denoncuar faktin se në Policinë e Shtetit janë shkarkuar masivisht profesionistët dhe janë zëvendësuar me militantë, por më e keqja, ne kemi denoncuar se në poste kyçe janë caktuar persona të lidhur me krimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.”
 
Pasojat, siç thotë Bumçi janë të rënda pasi e kthen vendin tonë në listën e zezë të tranzitimit të drogës, gjë që në qeverisjen e PD-së, “u deshën shumë vite punë për ta hequr Shqipërinë nga lista e zezë e drogës.”

Deputeti thotë se,  “u deshën vetëm pak muaj të qeverisjes së Edi Ramës për ta kthyer Shqipërinë në ditët e saj më të errëta, të tranzitimit të lëndëve narkotike, çka dëmton rëndë imazhin e vendit tonë.”

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)