TIRANË - Deputeti i PD, Aldo Bumçi ka dalë sot në konferencë për shtyp për të komentuar takimin e sotshem të kryeministrit Edi Rama me një grup biznesmenësh vendas. Bumçi pasi ka kritikuar Ramën për "leksione fyese, cinike"

"Spektakli i humorit u shpërngul sot nga sallat e argëtimit në sallat e qeverisë. Kryehumoristi i vendit, Edi Rama, dha leksione qesharake, fyese dhe cinike, dhe u tall publikisht me mundin e djersën e biznesit gjatë këtyre 23 viteve. Rama thotë se biznesmenët e këtij vendi, kolektivisht, falsifikojnë bilancet, dhe te tjera shifra deklarojnë në bankë e te tjera ne administratën tatimore", nis deklarata e Bumçit.

"Rama hapi konkursin për gjetjen e 'procedurës më idiote' të shkruar ndonjëherë nga administrata, dhe më tej ai me fuqinë që i ka dhënë Zoti, do të shfuqizojë 10 procedurat me idiote. Cikli i talljeve vazhdon, kjo ishte sa për të ngrohur ambientin. Rama i dha fund 'tallavase me financat publike' dhe i ftoi kompanitë që nëse nuk duan të kontrollohen nga administrata tatimore mund të zgjedhin të kontrollohen nga disa kompani private", shtoi Bumçi.

"Kryeministri është gati që funksionet e deleguara ekskluzivisht institucioneve shtetërore nga Kushtetuta e ligji, t'ua nëndelegojë subjekteve private, të cilat në të njëjtën kohe janë vetë subjekte të kontrollit tatimor? Rama akuzoi biznesin si abuzuesin më të madh të energjinë elektrike në vend. Teksa fyen përfaqësuesit që janë ulur përballë tij, Kryeministri nuk di të bëjë detyrën e tij; të penalizoje çdo vjedhës e abuzues me energjinë elektrike dhe të lërë etiketimet kolektive", deklaroi Bumçi.

 "Çmimi i naftës nuk është rritur asnjë cent, shpalli sot Rama. A ka tallje më të madhe për çdo shqiptar që jeton në realitetin tonë dhe që e paguan vetë naftën, benzinën apo biletën e pasagjerit?", u kundërvu Bumçi edhe për çmimin e naftës.
 
"Rama zbuloi sot se Bashkia e Barcelonës e ka pasur më të gjatë kohën e miratimit të një leje ndërtimi se sa Bashkia e Tiranës, në kohen kur drejtohej nga ai. Por harroi të thotë se si kryebashkiak ai renditej i fundit në botë për procedurat, dhe i pari në bote për korrupsionin, ndryshe nga bashkia e Barcelonës", tha Bumçi.
 
"Humoristi tha se dega e ndërtimit e kreu misionin dhe se Shqipëria nuk do të ketë më nevojë për ndërtime të reja, pasi paska apartamente te pashitura, por nuk thotë se çfarë do të bëjë qeveria për të zhbllokuar kreditë individuale, për të futur në treg këto asete", kritikoi tjetër pohim të Ramës deputeti i PD.
 
"Sot shqiptarët panë e dëgjuan përsëri tezen absurde se sa më shumë energji prodhojnë koncensionarët, aq më i lartë do të dalë çmimi. Përfaqësuesit e biznesit, por dhe gjithë qytetarët e vendit që presin të kenë një Kryeministër serioz, nuk duhet të mërziten. Ky është vetëm fillimi!".

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)