PD: Çmimi i naftës në Shqipëri 36
% më shumë se mesatarja botërore

PD: Çmimi i naftës në Shqipëri 36<br />% më shumë se mesatarja botërore
TIRANE - Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku doli sërish sot në një deklaratë për mediat për të shpjeguar barrën e taksave që paguajnë shqiptarët për qeverinë në një litër karburant, duke e bërë sipas saj, çmimin më të lartë në rajon e në Evropë. 

Tabaku risolli në vëmendje se të hënën në orën 11:00 nis aksioni i parë qytetar për ta detyruar qeverinë të tërhiqet nga kursi i varfërimit të shqiptarëve. 

““Në vitin e parë të qeverisjes, qeveria rriti taksën e qarkullimit nga 7 lekë/litër në 17 lekë/litër, pra shqiptarët paguan 12 lekë për litër me TVSH më shumë në të gjitha pikat e karburantit për gjithë vitin 2014. Vetëm kjo rritje ishte 56 milionë USD më shumë nga xhepat e shqiptarëve.  Në janar të këtij viti, qeveria ka filluar të aplikojë një regjim edhe më të rënduar taksash. Duke përfshirë edhe një rritje prej 17 në 27 lekë për litër, duke e cuar kështu taksën 24 lekë me TVSH për litër dhe duke marrë 56 milionë USD të tjera nga xhepat e shqiptarëve.”- tha Tabaku.

Edhe në këtë deklaratë deputetja demokrate i ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen thirrjes së PD për të fikur makinat 5 minuta kudo që ata ndodhen.

cmimi i naftes

Më poshtë deklarata e plotë e Jorida Tabakut
“Ndonëse çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ka 6 muaj që ka filluar të bjerë me ritme galopante, shqiptarët ende paguajnë më shtrenjtë se sa fqinjët e tyre çmimin për një litër naftë. Nga Korriku i vitit të kaluar deri më sot çmimi ka zbritur nga 110 USD për fuçi në 48 USD për fuçi, duke rënë 120%.

Për të shpjeguar se përse sot çmimi në Shqipëri nuk bie, duhet të shohim politikën fiskale që qeveria ka ndërmarrë ndaj naftës në këto dy vite qeverisje.

Në vitin e parë të qeverisjes, me gjithë kundërshtimin tonë, qeveria rriti taksën e qarkullimit nga 7 lekë për litër në 17 lekë për litër, pra shqiptarët paguan 12 lekë për litër me TVSH më shumë në të gjitha pikat e karburantit për gjithë vitin 2014.

Vetëm kjo rritje ishte 56 milionë USD më shumë nga xhepat e shqiptarëve.

Në janar të këtij viti, qeveria ka filluar të aplikojë një regjim edhe më të rënduar taksash. Duke përfshirë edhe një rritje prej 17 në 27 lekë për litër, duke e cuar kështu taksën 24 lekë me TVSH për litër dhe duke marrë 56 milionë USD të tjera nga xhepat e shqiptarëve.

Sot, qytetarët kur blejnë naftë në pikat e karburantit paguajnë; 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni, 25 lekë TVSH, 3.8 lekë taksë doganore, 5 lekë taksa ngjyrosje dhe portuale duke e shndërruar kështu peshën e taksave në çmimin përfundimtar në masën 60%.

Kështu që as Kryeministri, as qeveria nuk kanë pse çuditen që sot çmimi i naftës në Shqipëri është 1.32 USD për litër e mesatarja botërore është 0.97 USD për litër. Shqipëria e ka karburantin 36% më shtrenjtë se mesatarja botërore, shumë më shtrenjtë se kushdo tjetër krahasuar me standartin tonë të jetesës.

Dy vjet më parë kur çmimi i karburantit në tregjet ndërkombëtare ishte 3 herë më i lartë se sot, taksat zinin 40% te çmimit, ndërsa sot kur e gjithë bota përfiton nga ulja e çmimit të karburantit ne paguajmë 60% të çmimit vetëm taksa për qeverinë.

Faktet janë të qarta dhe as arroganca e pushtetit e as ndonjë gënjeshtër tjetër nuk mund t’i mbulojë ato. Prandaj, ditën e hënë qytetarët në orën 11 do të fikin makinat e tyre. Në shenjë proteste ndaj taksave të larta, ndaj një qeverie arrogante që ditë për ditë mendon si të shpërblejë klientët e saj në kurriz të qytetarëve.

Të hënën në 11, nis aksioni i parë i qytetarëve. Partia Demokratike do të jetë në anën e tyre, derisa qeveria të tërhiqet.”- tha Tabaku.

Redaksia online
(F.M/ Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja