TIRANË - Festa e Pavarësisë dhe Çlirimit, është zhvilluar në të njëjtën ditë nga Partia Demokratike dhe forcat e tjera të djathta. Me rastin e 28 Nëntorit, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryemnistri Sali Berisha dhe deputetë e përfaqësues të së djathtës kanë zhvilluar homazhe në monumentin “Nënë Shqipëri”. Të djathtët kanë zhvilluar homazhe edhe tek busti i heroit të Kosovës, Adem Jashari. 

ORA 11:15 HOMAZHE EDHE TEK BUSTI I ADEM JASHARIT
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të tjerë, kanë zhvilluar homazhe tek busti  i Adem Jasharit në rrugën e Durrësit.
“Kujtojmë ditëlindjen e Adem Jasharit dhe sakrificën luftës për Kosovës. Kujtojmë sakrificës e luftëtarëve të Preshevës, Medvegjës, Bujanovcit. Kujtojmë ata që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, duke i dhënë fund një shtypjeje shekullore.

Kujtojmë Adem Jasharin, duke avancuar në kauzën e lirisë dhe demokracisë”, tha Basha gjatë fjalës së tij, tek busti i heroit dhe komandandit legjendar, Adem Jashari.

ORA 10:55 TE DJATHTET HOMAZHE TEK "NENE SHQIPERI"
Pas homazheve tek monumenti "Nënë Shqipëri", kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se, “në këtë ditë të shënuar të kombit tonë, 28 nëntorin, festojmë ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë. Përulemi para mijëra e mijëra dëshmorëve, bijve të shqipes, që u flijuan për pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. Sot i kujtojmë këta martirë, sakrificën sublime me të cilën i shërbyen kombit”.
 
“Kujtojmë babain e pavarësisë, Ismail Qemal Vlorës dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, që 101 vite më parë ja dolën që të ndalonin synimet shoviniste ndaj Shqipërisë. Kujtojmë edhe gjithaë ata që dhanë jetën gjatë luftës së dytë për Shqipërinë, të cilët luftuan për çlirimin e vendit, të cilët për 5 dekada u tradhëtuan”, deklaroi gjatë fjalës së tij, Basha.
 
Basha nuk ka lënë pa kujtuar edhe dëshmorët e rënë gjatë luftës së Kosovës. “Kujtojmë edhe bijtë e shqipes në Kosovë, Preshevë, Maqedoni që luftuan për lirinë e Kosovës. 2013 është 101 pas shpalljes së pavarësisë dhe 100 vite pas vitit fatkeq të vitit 1913 që na tregon se sakrificat nuk mbarojnë. Të lëmë mënjanë interesat personale dhe të bashkohemi për interesat kombëtare”, deklaroi Basha pas homazheve tek monumenti “Nënë Shqipëri”.
 
Kreu i PD-së nuk ka lënë pa përmendur edhe miratimin e rezolutës për integrimin e Shqipërisë në BE, e propozuar nga grupi parlamentar demkrat, që u bë dje me votë unanime në Kuvend.
 
“Urojmë që hapi i djeshëm i miratimit të rezolutës së PD-së për integrimin, të mos mbesë një akt i veçuar. Gëzuar 28 Nëntorin”, tha Basha në fjalën e tij.
 
Pas kreu të PD-së, ka folur edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë dhe të Çlirimit të vendit.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)