PD: Drejtori i ri i OSHEE, nën hetim
për dëm ekonomik 1.3 mln dollarë

PD: Drejtori i ri i OSHEE, nën hetim<br />për dëm ekonomik 1.3 mln dollarë
TIRANE - Partia Demokratike ka akuzuar sot qeverinë dhe konkretisht kryeministrin Edi Rama për emërimin në krye të OSHEE-së të Ardian Çelës, pasi sipas PD ai është nën hetim nga ana e Prokurorisë së Durrësit për 8 tendera të zhvilluar, me dëm ekonomik 1.3 milionë dollarë, në kohën që ai ishte Kryetar i Komisionit të Tenderave në qytetin bregdetar.

Në një dalje për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vendos në poste drejtuese persona të cilët janë nën hetim nga ana e Prokurorisë.

Sipas Ristanit, Çela është paditur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në qershorin e vitit të kaluar, pas shkeljeve që ky institucion gjeti në tenderat që ai kishte zhvilluar në Bashkinë e Durrësit, si kryetar komisioni.

Duke vijuar më tej akuzat, Ristani shprehet se kjo është në vazhdimësi të politikës dhe shtetit policor të kryeministrit Rama, i cili sipas opozitës në aksionin e OSHEE, arreston njerëz që nuk kanë mundësi për të paguar energjinë, ndërsa shpërblen me poste drejtuese, persona nën hetim. Sipas PD, zgjidhja e vetme për këtë situatë është një protestë dhe revoltë popullore për të rrëzuar këtë qeveri.

Më poshtë komunikata e plotë për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm të PD Arben Ristani:
"Edi Rama e plotësoi ciklin e inkriminimit të OSHEE-së, duke caktuar në krye të operatorit të energjisë një person që është nën hetim për korrupsion nga prokuroria e Durrësit. Pasi caktoi, debitorë, hajdutë energjie, njerëz me precedent penalë nëpër degët e OSHEE-së në rrethe, Edi Rama ia besoi dy ditë më parë drejtimin e energjisë në vend, Ardian Celës, i cili është aktualisht nën hetim për favorizim në tendera. Cela është paditur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në qershorin e vitit të kaluar, pas shkeljeve që ky institucion gjeti në tenderat që ai kishte zhvilluar në Bashkinë e Durrësit, si kryetar komisioni. Media raporton se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur abuzime në 8 tendera të zhvilluara nga i besuari i Edi Ramës, dhe sipas kontrollit, dëmi që ai ka shkaktuar është 1.3 milionë dollarë. Aksioni policesk, arbitrar e brutal i Edi Ramës, ndaj qytetarëve që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë, se janë papunë dhe në mjerim ekonomik, ka cuar në qelitë e burgut, kryefamiljarë, prindër, motrën 17 vjecare që kujdeset për vëllezërit e motrat jetime. Aksioni i Edi Ramës ka dërguar në komisariat edhe vajzën 5 vjecare të një gruaje të dëshpëruar që nuk paguan dot energjinë se nuk ka asnjë të ardhur. Aksioni policeks i Edi Ramës ka detyruar një nënë nga Durrësi të ndërmarrë hapa ekstreme që i kushtuan jetën, vetëm e vetëm për të ndricuar vatrën e fëmijëve të saj, sepse qeveria nuk i krijoi asnjë mundësi për punë e dinjitet. Aksioni policesk, brutal i Edi Ramës ka mbjellë errësirën në mijëra familje shqiptare që jetojnë në skamje, falë politikave të kësaj qeverie. Qytetarët e papunë, dhe me ekonomi të rrënuar, përballen me faturat abuzive të OSHEE dhe kamatvonesat mbi këto fatura. Cfarë bën Edi Rama? Nuk ofron asnjë zgjidhje. Emëron në krye të OSHEE, një person që është nën hetim për korrupsion. Ky është pra modeli i Edi Ramës. Qytetarët e pamundur në burg, hajdutët e energjisë në OSHEE, dhe ai që është nën hetim për korrupsion me 8 tendera me 1.3 milionë dollarë dëm shtetit, Drejtor i Përgjithshëm. Protestë dhe protestë do të ketë. Bashkimi masiv, popullor, i qytetarëve për drejtësi, për punë e dinjitet, do ta ndalë të keqen."

Ardian Çela është drejtori i sapozgjedhur i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, pas dorëheqjes pak ditë më parë ish-administratorit Arben Seferaj.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin rrugor ‘Prrenjas-Librazhd’! Makinat përplasen me njëra tjetrën, 1 i plagosur

Aksident në aksin rrugor ‘Prrenjas-Librazhd’! Makinat përplasen me njëra tjetrën, 1 i plagosur