MANZE- Kryetari i PS në Radë të Manzës, Armand Basha, ka reaguar pas akuzave të Partisë Dmeokratike se shtëpia e tij është e banueshme dhe ka përfituar pa të drejtë bonosin e qirasë. Përmes fotove ai ka treguar ambientet e shtëpisë duke dëshmuar problemet e theksuara që ka pësuar banesa e tij pas tërmetit të 26 nëntorit.
"Të nderuar miq dhe të njohur, sic jemi në dijeni, me dt.26 Nëntor 2019, më së shumti Qarku i Durrësit, u prek nga një tërmet i fuqishëm, me pasoja tragjike dhe viktima. Për fat të mirë, unë dhe familjaret e mi, shpëtuam shëndoshe e mirë, por praktikisht banesa ime private në fshatin Radë, Manëz (Durrës), ku unë dhe familjaret e mi jetojmë, u demtua rëndë dhe është e pabanueshme, vërtetuar kjo dhe nga akt- konstatimi i banesës, firmosur nga ekipi i specialistëve të ardhur nga Turqia. Ndonëse i prekur familjarisht, nga pasojat e tërmetit , isha që në momentet e para dhe do vazhdoj të jem pjesë e situates, për të ndihmuar gjithë komunitetin e prekur, si një njeri dhe pjesë integrale e komunitetit të fshatit Radë. Gjithsesi, papritur e papandehur, sot u gjenda i ballafaquar me sulmin zyrtar të Partisë Demokratike, për shkak të funksionit përfaqësues, që kam për Partinë Socialiste në këtë zonë, ku nëpërmjet një deklarate zyrtare të tyre, hamendësojnë se kam përfituar bonuse qeraje për vete dhe familjarët e mi, në mënyrë të pamerituar, si privilegj për faktin se jam pjesë përfaqësuese e PS-së. Mendoj se PD-ja, duhet të gjente kohë për solidaritet, jo për sulme personale që është pak të thuash, se janë tepër banale e mediokre.
Më poshtë gjeni 1. Certifikatat familjare, të cilat qartazi tregojnë sa persona e familje ishim në banesë, 2. Fotot e banesës private pas dëmtimit, si dhe 3. Statusin medioker të PD-së. Në përfundim, i ftoj të gjithë miqtë opozitarë, të jenë fillimisht solidarë dhe human, pastaj militantë, pasi s'është korrekte dhe as e falshme, të cënohem e shqetësohem familjarisht, për kreditin e tyre politik. Gjithashtu, gjej rastin ti sqaroj, që tërmeti nuk njohu parti politike, por vetëm viktima, pa asnjë dallim dhe unë e familjaret e mi, ishim disa prej tyre dhe u trajtuam si të tillë, jo si militantë të PS-së (këtu gjithsesi dua t'ju kujtoj se pëlqimi,përkatësia dhe përfaqesimi politik, mbrohet si e drejtë njerëzore nga Kushtetuta e Republikës së Shqiperisë, sepse është pikërisht vlerë demokracie dhe jo krim)! Unë dhe familja ime, ju urojmë një fundjave të mbarë dhe pa strese, ashtu si e përjetuam ne sot", shkruan Armand Basha.
Zona e Manzës ishte në listën e zonave më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, për shkak të afërsisë së epiqendrës, e cila ishte në zonën e Shijakut. Shumë shtëpi janë shpallur të pabanueshme duke bërë që një pjesë e mirë e banorëve të strehohen në çadra dhe qendra sociale. Në këtë zonë janë ngritur 200 çadra dimërore për të bërë të mundur që qytetarët të kalojnë dimrin pranë shtëpive të tyre.