TIRANE- Nga sot deputeti Gazmend Oketa nuk do të jetë në postin e anëtarit të Komisionit të sigurisë. Vendimi është bërë publik sot në Kuvend kur kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli informoi se në vend të tij do të jetë Bedri Hoxha deputet i PD-së.

Vetë Oketa i cili së bashku me ish presidentin e Republikës, Bamir Topi drejtojnë Frymën e Re Demokratike, tha se ishte i surprizuar në lidhje me këtë vendim, për të cilin as nuk ishte informuar por e kishte mësuar nga media. Sipas Oketës Topalli është inisiatorja e këtij largimi, që e quan "të pashpjegueshëm dhe pa dokumente" dhe e  akuzon se ka ”privatizuar krejtësisht Kuvendin e Shqipërisë”.

“Është një veprim që e mora vesh përmes medias. Së pari do t’i uroj suksese zotit Hoxha në detyrën e re si anëtar i komisionit të Sigurisë. Nuk e di në cilën pikë të rregullores u bazua ky vendim. Por përveç zbatimit të rregullores duhet të ketë dhe një moral politik dhe qytetar. Është e pamundur të gjesh dokumente të largosh nga Komisioni i Sigurisë një deputet që i ke ngarkuar Shqipërinë ... pa asnjë lloj arsyetimi dhe jam i suprizuar sa i takon moralit. Nuk e di dhe kolegët e mazhorancës dhe njerëzit që kanë bashkëpunuar dhe aprovuar këtë vendim. Megjithatë e gjitha është në të drejtën e tyre”- tha Oketa duke shtuar se ai nuk do të heqë dorë nga ndjekja e mbledhjeve të komisionit të sigurisë. “Mua nuk më hiqet e drejta të marr pjesë në komision,më është hequr e drejta e votës”- nënvizoi Oketa.

Ai akuzoi Topallin si inisiatore të këtij veprimi. “Besoj ajo është inisiatorja. Privatizoi krejtësisht kuvendin e Shqipërisë. Seancat parlamentare kanë humbur çdo lloj serioziteti. Kuvendi është kthyer në institucionin më qesharak. “- tha Oketa.

KUVENDI: LARGIMIN TEND E KERKOI PATOZI
Zyra e shtypit e kuvendit sqaron se ishte vetë kryetari i Grupit të PD-së Astrit Patozi që ka kërkuar largimin e Oketës nga komisioni i Sigurisë.

Në replikë Oketa tha “Nuk jam njohur me shkresën. Dua të shoh pikat ku është referuar kjo shkresë. Ka një moment, është leximi i ngushtë i rregullores por dhe momenti etik kur një deputet ka mbajtur një post në këtë komision. Është e pashpjegueshme sepse kam qenë në këtë pozicion për shkak të postit që kam mbajtur si ish ministër i Mbrojtjes. "- tha Oketa.

(sg/shqiptarja.com)