TIRANE - Deputeti i Partisë Demokratike Fatos Hoxha ka qenë edhe më radikal se disa ditë më parë, pas zgjedhjes së Lulzim Bashës si kryetar i kësaj partie. I ftuar bashkë me disa deputetë të tjerë dhe analistë, në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Hoxha tha se Partia Demokratike aktualisht është e ndarë dhe e çarë në dy pjesë, një pjesë që mbështet Lulzim Bashën dhe një pjesë që nuk e mbështet atë.

Deputeti demokrat, i cili nuk u përfshi në listat e kandidimit nga ana e Berishës në këto zgjedhje, tha se është detyrë e kryetarit të ri të organizojë Partinë të ofrojë vlerat më të mira në këtë parti për të shmangur çarjen e mëtejshme të kësaj partie. Hoxha shkoi më tej kur kritikoi nënkryetarin e PD Astrit Patozi, që sipas tij, nuk i ka bërë më parë publike problemet në parti por vetëm pas humbjes së Olldashit.

Ai bëri publike për herë të parë dhe një takim personal më kryeministrin Sali Berisha përpara nisjes së fushatës së zgjedhjeve 23 qershorit në të cilin evidentoi disa probleme kardinale në PD, por që sipas Hoxhës Berisha e dëgjoi por nuk i mori parasysh asnjë fjalë dhe shqetësim që kishte shprehur. Ish-deputeti i PD bëri publike gjithashtu edhe sulmet që i kanë ardhur këto ditë në rrjetet sociale nga eksponentë të PD për kritikat që ai ka bërë.

Por, ndërkohë gjatë emisionit, Hoxhën e kundërshtuan dy deputetët e tjerë, nga themeluesit e PD. I pari, Gjok Uldedaj tha se vota për Lulzim Bashën si kryetar ishte në të njëjtën kohë edhe votë kundër qeverisjes dhe ministrave të PD, por sipas tij kjo nuk do të thotë se PD është e ndarë dhe e çarë. “PD do të dijë të ringrihet dhe të rikthehemi pas 4 vjetësh në pushtet”, tha Uldedaj.

Ndërkohë, Luan Skuqi, politikani që koleksionon 5 mandate si deputet që nga vitit 1991 nën siglën e PD, e vlerësoi zgjedhjen e Bashës si kryetar duke e cilësuar atë politikanin më të denjë brenda PD për të bërë riorganizimin e madh. Duke u renditur publikisht përkrah kreut të ri të PD.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)