Dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD kanë marrë pjesë dhe deputetët e partive aleate, duke zhvilluar një mbledhje e përbashkët, me sa duket në vigjilje të një vendimi për bojkot afatgjatë të Kuvendit, për shkak të kohës së paktë në dizopozicion të lënë nga ana e mazhorancës së re të drejtuar nga Rama për t’u njohur me programin qeverisës dhe për të formatuar dhe shinat mbi të cilin do zhvillohej debati.
Dhe nëse aleatët kanë qënë të gjithë, në këtë mbledhje ka munguar ish-lideri i PD Sali Berisha. Kreu i grupit të PD, Edi Paloka ka informuar deputetët e djathtë se mazhoranca e kishte shtyrë debatin, duke bërë që bojkoti për programin të mos përmendej më. Ndërkohë që është diskutuar në lidhje me debatin dhe pikat më të rëndësishme ku do debatohej, Basha nuk ka kaluar pa këmbëngulur në porosinë për respektimin e vendimit të grupit parlamentar për atë që quhet rrjedhje votash. Ai mësohet të ketë thënë se “është e rëndësishme të respektohet gjithnjë vendimi politik që bashkarisht marrin në grup dhe në forume, në lidhje me qëndrimin ndaj ligjeve dhe për më tepër ndaj qeverisë së re e cila do të votohet në Kuvend.
Ndaj duhet kujdes”. Më shumë se për aleatët një sugjerim i tillë ka qënë për deputetët e grupit parlamentar të PD, i cili vetëm tre ditë më parë, në votimin e kreut të Kuvendit Ilir Meta i dha plot 8 vota neto mazhorancës së re, duke e miratuar përmes votës së fshehtë kreun e Kuvendit me 91 vota. Takimi i djeshëm i grupit të PD dhe deputetëve të partive të djathta aleate, është zhvilluar për të dhënë idenë se të djathtët janë të unifikuar në qëndrimet e tyre politike.
Ndërkohë në përfundim të mbledhjes së përbashkët të deputetëve të djathtë, kreu i PD Lulzim Basha tha se pati një përpjekje antikushtetuese për të imponuar me gjuhën e arrogancës një standard të vjetër dhe të tejkaluar në raport me komunikimin me opozitën e një standard të ri të rrezikshëm përsa i përket mungesës së transparencës, mungesës së ballafaqimit dhe mohimit qytetarëve shqiptarë të së drejtës për të ndjekur një debat kushtetues mbi premtimet e mazhorancës së re e programit të saj.
“Qëndrimi ynë, i prerë për të denoncuar këtë qëndrim të papranueshëm si në formë edhe në përmbajtje, këtë hap të parë jo premtues, këtë fillim jo të mbarë nga mazhoranca e re, ishte vetëm në mbështetje të aspiratës së çdo qytetari shqiptar për një ndërveprim transparent, komunikim normal e në respekt të Kushtetutës e ligjeve të vendit.
Nëpërmjet këtij qëndrimi PD e aleatët e saj mbrojtën parimet e shenjta të transparencës përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies parlamentare, parime të cilat garantojnë qytetarët shqiptarë për seriozitetin e funksionimit të institucioneve e garantojnë të drejtat e liritë e tyre në raport me veprimtarinë e qeverisë, garantojnë dinjitetin e tyre në raport me premtimet e qeverisë karshi tyre”, tha Basha. Duke paralajmëruar se do ta luajnë fort rolin e opozitës.
Shkrimi u publikua sot(12.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)