TIRANE- PD ka arritur të gjejë një tjetër formulë për bllokimin e zgjedhjes së anëtarëve të Autoritetit Mbikqyrës së Mediave. Kleçka këtë herë është gjetur te afatet e zgjedhjes së anëtarëve të ndarë nga momenti i votimit të kryetarit. Ndryshimet e bëra në ligj lënë një diferencë kohore prej 10 ditësh mes përzgjedhjes së anëtarëve dhe kryetarit të AMA-s. Kandidatët për anëtarë i kanë dorëzuar dosjet deri në datën 6 qershor, ku janë paraqitur 31 emra. Ndërsa për kandidatët për kryetar gara është e hapur deri më 21 të këtij muaji.

Në ligjin e vjetër për mediat audio-vizive, duhej që kryetari i AMA-s të ishte më parë anëtar i saj, ndërkohë që në ligjin e ri kjo formulë është ndryshuar. Në ndryshimet e bëra përcaktohet se pas përzgjedhjes së anëtarëve të AMA-s dhe plotësimit të kuorumit të nevojshëm, lihen 10 ditë kohë për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kryetarit të ri. Ky interpretim, që për opozitën është i gabuar nga ana ligjore, pritet të jetë argumenti kundërshtues për ta quajtur joligjor procesin dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të AMA-s.

Shkarkimi i kryetares aktuale të AMA-s ka qenë një pikë e fortë në të cilën mazhoranca dhe opozita janë përballur me njëra-tjetrën në Komisionin e Medias, ku megjithëse nga Kuvendi posti i Endira Bushatit është shpallur vakant opozita vazhdon të pretendojë për ligjshmërinë e mandatit të saj. Sipas deputetëve të mazhorancës Bushati, ka mbajtur një mandat të paligjshëm për shkak se mandati i anëtares, asaj i ka mbaruar që në vitin 2009. Në mbledhjen e rradhës të Komisionit të Medias, ditën e martë pritet edhe shqyrtimi i 31 kandidaturave për anëtarë të AMA-s dhe përzgjedhja e tri anëtareve të rinj.

Afati përfundimtar për dorëzimin e kandidaturave për anëtarë të Autoritetit të Mediave Audivizive ka përfunduar ditën e premte, duke i hapur rrugë komisionit të Media për përzgjedhjen e emrave fitues. Për tri vendet vakante të shpallura për këtë institucion nga Parlamenti, janë depozituar plot 31 dosje. Kandidaturat do t’i nënshtrohen një seleksionimi nga anëtarët e Komisionit të Medias, të cilët në bazë të kritereve të vendosura më parë do të përzgjedhin edhe tri anëtarët e rinj të AMA-s. Pritet që Komisioni i Mediave të përzgjedhë për votim në parlament vetëm 8 nga 31 emrat që aplikuan.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)