PD: Gjykata Kushtetuese të zbardhë
vendimin për mandatin e Kokëdhimës

PD: Gjykata Kushtetuese të zbardhë<br />vendimin për mandatin e Kokëdhimës
TIRANE - Partia Demokratike i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që të zbardhë vendimin e marrë në lidhje me çështjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste Koço Kokëdhima. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputeti Eduard Halimi akuzoi se gjykata nuk po zbardh vendimin nën presionin e kryeministrit Edi Rama i cili sipas tij kërkon të mbrojë deputetët që përfitojnë nga fondet publike. 

Demokratët kërkojnë të mësojnë vendimin, nëse Kokëdhima ka shkelur apo jo Kushtetutën gjatë ushtrimit të detyrës së deputetit. 

Partia Demokratike më herët i ishte drejtuar Kuvendit, i cili rrëzoi kërkesën e saj për t'i hequr mandatin deputetit Kokëdhima. PD-ja e ankimoi vendimin e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi se cështja duhet të shqyrtohet në themel nga ana e Gjykatës, duke nxjerrë njëherësh të pavlefshëm vendimin e Parlamentit.

Opozita kërkoi heqien e mandatit të deputetit Kokëdhima në parlament për shkelje të kushtetutës me arguementet se deputeti si pronar i një kompanie internet ka fituar para publike

Deklarata e plote e deputetit Halimi
Gjykata Kushtetuese vonon zbardhjen e vendimit për mandatin e Koço Kokëdhimës, i kapur me 150 shkelje të ligjit themelor, duke përfituar fonde publike me biznesin e tij.
Jam sot këtu, për t'i kerkuar Gjykatës Kushtetuese të zbardhë e të bëjë efektiv sa më parë vendimin për rastin e deputetit Koço Kokedhima. Edhe pse kërkesa e Partisë Demokratike për mbarimin e mandatit të Kokëdhimës është bërë në verën e vitit të kaluar, Gjykata e ka marrë në shqyrtim në nëntor të 2015, por ende nuk ka zbardhur vendimin që e shpalli si anti-kushtetues fshehjen ndaj drejtesisë që Rama bëri për deputetin Koço Kokëdhima.

Parlamenti me urdhër të Edi Ramës doli në mbrojtje të milionave të Kokëdhimës, në mbrojtje të 150 transfertave financiare që ai kishte përfituar në shkelje të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë qëndrim të parlamentit, si në kundershtim flagrant me Kushtetuten, duke i kërkuar dërgimin para drejtesise së deputetit që ka përfituar fonde publike, sipas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Mirëpo nën presionin e Edi Ramës, vendimi ende nuk është zbardhur dhe nuk është bërë efektiv.

Duke treguar mirëkuptim për ngarkesën dhe axhendën e Gjykatës Kushtetuese, i kërkojmë të zbardhë sa më shpejt vendimin, pasi çështja ka të bëjë me korrupsionin shtetëror, kapjen e shtetit si nje fenomen në rritje, ndaj është e një rëndësie të madhe publike.

Rasti Kokëdhima i hap rrugën edhe mbarimit të dy mandateve të tjera, që janë kapur në shkelje të Kushtetues, si zonja Leskaj e Rakip Suli, pasi familjarët e tyre kanë përfituar miliona nga fondet publike.

Fshehja që po u bën Edi Rama deputeteve ndaj drejtesise, tregon menyrën se si po qeveris: sa më shumë shkelje e abuzime, aq më shumë i mban njerëzit e tij, dhe ia fsheh drejtësisë.

Shembulli i Ilir Beqës e dëshmon qartë këtë. Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin e deputetit për perfitim fondesh publike, por Edi Rama e bëri ministër duke i besuar koncesionet qindra milion euroshe.

Dhe sot, Beqja ka përfituar nga firma e tij, për të cilën humbi mandatin e parë, mbi 31 tendera dhe mbi 12 milionë dollare.

Ky është modeli sesi qeveris Edi Rama, milionat dhe mbrojtje nga drejtesia për miqtë, dhe burgun për të pamundurit.

Ndaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për drejtësi, profesionale, eficente, të pakorruptuar por dhe të pavarur e të pakapur nga Kryeministri.

Një drejtësi që lufton korrupsionin e bëhet garante e zbatimit të ligjit, edhe kur akuzohen miqte e kryeministrit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima