Prezantimi i çdo kandidati nga ana e Bashës është shoqëruar me brohoritjet e forta të të gjithë pjesmarrësve në shesh, që s’kanë pasur asnjë ulje tempi as kur është prezantuar ish-deputeti socialist Kastriot Islami, tashmë deputet i sigurtë në listën e PD, duke sjellë zhvendosjen e ish-kreut të komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali që mbrëmë nuk u pa në podium. Ndërkohë që u prezantuan dhe Dogjani e kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, Topalli ka qënë përkrah Liri Berishës që kishte në krahun tjetër kryeministrin. Sheshi ishte mbushur plot, ndërsa kanë performuar këngëtarët Soni Malaj e Vedat Ademi, ndërsa për herë të parë Greta Koçi nuk ka qënë me mikrofon në dorë për të kënduar, ndërsa ka pasur mbrëmë peshën e kandidates për deputete.
FUSHATEN E HAPI LULZIM BASHA
Fushatën e hapi drejtuesi i saj, Lulzim Basha, kryebashkiak i Tiranës, i cili përmendi për herë të parë fjalën "armik" në këtë fushatë ndaj ish-rivalit të tij, kryeopozitarit Rama, ndonëse siç u shpreh "nuk e dëshironte një gjë të tillë." Gjatë mitingut spikati edhe fjala e ministres Bregu, e cila ngriti disa antiteza të fuqishme ndërmjet dy liderve të dy partive."
BERISHA: KOALICIONI ME I GJERE I PLURALIZMIT
Kur fjala iu dha në fund, Kryeministrit Berisha, ai tha: "Zoti Basha, demokratët e Tiranës dhe Shqipërisë të falenderojnë ty për rotacionin që i bëre zotit Rama, por, miqtë e mi, rotacionin e dytë ia bëri Koço Kokëdhima dhe të tretin do t’ia bëjë Tirana, do t’ia bëjë Shqipëria" ..
"Jam sot këtu, për t’u zotuar para jush se asnjëri nga këto gra e burra që qëndrojnë para jush nuk janë deputetë të partisë, por secili prej tyre është deputet i qytetarëve të Tiranës, të qytetarëve të Shqipërisë", - tha Berisha. - "Për ne, në çdo kohë, në çdo stinë, në çdo ditë, i pari është dhe do të jetë qytetari, interesat, aspiratat, idealet, problemet e tij. Gjithçka kemi realizuar të madhe në jetën tonë, gjithçka që kemi realizuar të madhe për veten tonë, për fëmijët tanë, familjet tona, kombin tonë, kanë qenë njëlloj, rezultat i përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarë, vokacionit të tyre perëndimor si filli shpirtëror i ekzistencës së tyre kombëtarë.
23 qershori është zgjedhje e madhe. Alternativa tjetër ka faktuar se nuk është shkëputur nga trashëgimia e saj, nga ajo trashëgimi që bëri gjithçka për ta vendosur kombin jashtë hapësirës perëndimore. Në 20 vite, ajo alternativë bëri gjithçka për të bllokuar integrimin në Këshillin e Europës, bëri gjithçka për të bllokuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, bëri gjithçka për të bllokuar anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, bëri gjithçka për t’ju lënë juve pa viza, për të mos lëvizur të lirë në Europë. Ajo alternativë bëri gjithçka për të privuar shqiptarët nga pasaporta e shkëlqyer e statusit të vendit kandidat. Sot, ajo alternativë, me cinizmin më ekstrem e quam veten Aleanca e Shqipërisë Europiane. E vërtetë kjo, sa ç’është i vërtetë zotimi i 1 prillit! Por ne të votojmë sëbashku për veten tonë, për fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, për Shqipërinë në Europë, për Shqipërinë e integruar.
Qytetare e qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë, 23 qershori është dita e gjykimit tuaj historik, është dita e gjykimit tuaj të madh. Alternativa tjetër është alternativa që kërkon ta bëjë Shqipërinë që të punojë për qeverinë. Alternativa tjetër është alternativa e besimit tek diktati shtetëror, tek diktati qeveritar, e taksave të larta, e ngushtimit të hapësirave të iniciativës së lirë.
Në 20 vite, në çdo rrethanë, ne kemi mbrojtur para jush parimet që besojmë. Çfarë bën zoti Rama? Sa qeverisi Tiranën dy e trefishoi taksat, tani kalon nga një qytet në një tjetër si hije e Nastradinit dhe ju thotë shqiptarëve se do të heqë taksat. Alternativa tjetër është alternativa e taksave të larta, alternativa e shkatërrimit të vendeve të punës, e largimit të investitorëve të huaj, alternativa e bllokimit të zhvillimit ekonomik.
Zoti Basha, demokratët e Tiranës dhe Shqipërisë të falenderojnë ty për rotacionin që i bëre zotit Rama, por, miqtë e mi, rotacionin e dytë ia bëri Koço Kokëdhima dhe të tretin do t’ia bëjë Tirana, do t’ia bëjë Shqipëria", - theksoi Berisha.
BASHA: UROVA QE RAMA TE MOS ISH ARMIKU YNE, POR AI BLLOKOI INTEGRIMIN...
Fushatën elektorale të PD-së e hapi drejtuesi i saj, kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili tha: "Dy vjet më parë deklarova se Edi Rama nuk është armiku ynë", - tha ai.- "Kam uruar gjatë gjithë kësaj kohe që të mos e kisha armik, por çfarë mund të them sot për të: ai bllokoi kandidimin në BE dhe sot ne do të ishim qytetarë të BE-së dhe qytetarët tanë do kishin përfitime. Misioni dhe pasioni i tij është bllokimi dhe vetëm bllokimi. Dy vjet më parë ne i dhamë fund këtij modeli, që sot na shfaqet sërish, si atëhërë. Qytetarët tani kanë mundësinë të zgjedhin integrimin në BE, zhvillimin e vendit."
TABAKU: NUK KA NEVOJE TE JESH AKADEMIK PER TE PARE SE ÇFARE KEMI NDRYSHUAR
Jorida Tabaku, nënkryetare e bashkisë së Tiranës tha se “për mua ka qënë privilegj të jem kandidate e PD-së për zgjedhjet e 23 Qershorit. Si zv.kryetare e bashkisë kam pasur një eksperiencë shumë të bukur dhe e di që problem më i madh juaji është punësimi. Përmirësimi po vjen në gjithë Shqipërinë si pasojë e punës së qeverisë; kemi shkurtuar kohën e regjistrimit të bizneseve; kemi hequr tvsh-në për pajisjet e prodhimit; kemi 200 mijë vende pune më shumë; ekonomia shqiptare është rritur me 32%. Unë jam ekonomiste dhe pedagoge në profesion por nuk ka nevojë të jesh akademike për të parë përmirësimet. Ne e dimë që ka akoma shumë për të bërë dhe ne do ta bëjmë".
KOSOVA: NDIHEM KRENAR TE JEM NE KRAH TE PROF.BERISHES
Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, një nga kandidatët e Tiranës, tha: “Me sinqeritet ju them se nuk e pata menduar se do isha një ditë në këtë podium përballë kaq shumë ëndrrash legjitime. Është krenari për mua që të radhitem krah prof.Berishës në sfidat transformuese për të ardhmen e vendit dhe gjej rastin ta falenderoj për besimin që më ka dhënë. Në sistemin shëndetësor ka ndryshime: vdekshmëria foshnjore është përgjysmuar; vdekshëmria e nënave është ulur 4 herë më pak; nënat bëjnë vaksinat më të domosdoshme. Ndryshime e realizuara në shëndetësinë tonë nuk janë vetëm strukturore, por edhe konceptuale.
Ne i kemi shpallur luftë ryshfetit dhe mitmarrjes. Nëse pata sukses në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, me urat e komunikimit që vendosëm ndërmjet nesh ne mësuam se çfarë nuk shkon dhe e përmirësuam".
BREGU: RAMA, JE SHKATËRRUES, BERISHA ËSHTË NDËRTUES
"Ti je shkatërruesi, Berisha është ndërtuesi", - tha ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. - "Rama, ti je bllokuesi, Sali Berisha është zhbllokuesi! Ti je antishqiptari, Sali Berisha është shqiptari! Ju sot keni 230 arsye për t’i kërkuar Ramës llogari pse nuk jemi atje ku duhet të ishim"- tha ajo duke iu drejtuar qytetarëve në shesh.
Fushata elektorale e PD-së ka vazhduar edhe pas fjalimeve, nën ritmet e muzikës dhe këngëtarëve.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)