TIRANË, 2 Korrik /ATSH- I. Vata/-Opozita hap dyert e një bashkëpunimi me mazhorancën për reformën territoriale. Përfaqësues të 386 njësive të qeverisjes vendore dhe këshillave të qarqeve përfaqësues të opozitës, u mblodhën sot në Pallatin e Kongresese,  për të konkluduar me finalizimin e rezolutës së përbashkët për reformën administrative-territoriale dhe për t'i hapur rrugë konsensusit dhe bashkëpunimit gjithëpërfshirës.
Në konferencë, morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, të zgjedhurit vendorë në nivel njesish, komunash dhe bashkish, sipërmarrës, ekspertë vendas dhe nga institucionet ndërkombëtare, deputetë dhe partitë aleate të PD-së.
Pas diskutimeve të përfaqësuesve të të zgjedhurve vendorë dhe të shoqërisë civile të cilët e vunë theksin te decentralizimi i pushtetit vendor dhe ruajtja e vlerave të fituara këto 23 vite, fjalën e mori kryetari i Bashkisë Tiranë dhe njëkohësisht lideri i opozitës, Lulzim Basha i cili, tha se "kjo është etapa e tretë dhe e fundit e konferencave që organizuam së bashku me një qëllim, përtej spekulimeve të sotme, pasi ata kanë thënë se ne kemi dalë këtu për t'u dhënë një variant dhe një hartë, se gjithë kjo është bërë që edhe në të kemi hartën tonë".
"Të tjerë, kanë thënë se që opozita do të kërcasë dhëmbët dhe do të nisë betejen politike. Por në fakt, as njëra dhe as tjetra nuk qëndrojnë. Të dyja janë pjesë e një mentaliteti kryekëput larg realitetit dhe qytetarit dhe bazuar në interesin e ngushtë politik", tha Basha.
"Sot jemi mbledhur, si mbartës të mandateve përfaqësues të zgjedhur nga shqiptarët pa mandate politike, si njerëz që kanë përgjegjësi për t'u shërbyer qytetarve të vendit, për të shtrirë dorën për bashkëpunim të vërtetë, real në funksion të një reforme të vertetë dencentralizuese, administrative dhe territoriale", deklaroi ai.
Basha theksoi se "reforma të mëparshme janë realizuar me konsensusin e të gjitha palëve, janë hedhur hapa të rëndësishme këto 23 vite e kryesisht në 1999-2002. Konsensusi politik është hallka kryesore e realizimit të reformës administrative, si një minimum, pasi një palë kurrë nuk e ka bërë vetë, por që eshtë bërë dhe duhet të bëhet së bashku".
Po ashtu, Basha u shpreh se "duhet të jetë një reformë e qëndrueshme, afatgjatë jashtë interesave politike, por për interesat e qytetarëve. Përgjigjja ka qenë refuzuese dhe ky është precedent i pare, pasi është hera e parë që kundërshtohet konsensuesi politik, si baza e kësaj reforme dhe zëvendësohet me një pseodokonsensus të dhënë në një komision për të mohuar ku merret vendimi me ardhjen në Kuvend".
Ai i bëri thirrje maxhorancës të japë konsensuesin politik, si minimum për t'i hapur derën një bashkëpunimi politik gjithëpërfshirës dhe të vërtetë.Më pas, kreu i PD-së Basha, bëri publike rezolutën dhe i ftoi të pranishmit ta votonin atë dhe më një votim të hapur mori jetë rezoluta për të zgjedhurit vendor dhe çelet rruga e konsensusit nga opozita.
Reforma e vetëqeverisjes vendore, e shpallur në konferencën e të zgjedhurve vendorë përbëhet nga parime si, Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore, që duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës. Ajo duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.
Po ashtu, në parimet e rezolutës, vihet theksi te riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duke pasqyruar identitetin e komunitetit të banorëve, të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse. Proçesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, në fund të rezolutës thuhet "shprehim gatishmërinë tonë për të punuar së bashku me shumicën parlamentare dhe të gjithë faktorët e tjerë, bazuar mbi parimet e reformës decentralizuese, administrative dhe territoriale që shpallëm sot unanimisht e njëzëri në emër të qytetarëve që përfaqësojmë, me qëllimin për t'i dhënë përmbajtje, formë dhe jetësim kësaj reforme të rëndësishme për Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj pa dallim".
/y/pa/