TIRANE- Presidenti Bujar Nishani pritet të kthejë në Kuvend për ta shqyrtuar më tej ligjin për marrëveshjen e asistencës doganore në shërbimin doganor të qeverisë shqiptare me kompaninë britanike "Crown Agents". Burime brenda selisë së Presidencës saktësojnë se kreu i shtetit, pasi e ka stidiuar dhe me ekspertët e tij këtë ligj të miratuar me 73 vota pro, në kulmin e debatit për armët kimike siriane në Kuvend dhe ku opozita pasi bllokoi podiumin dhe më pas doli në mënyrë demonstrative nga salla, ka vendosur të firmosë rrëzimin e kontratës për asistencë doganore me kompaninë britanike “Crown Agents”.

Mësohet se arësyet e rrëzimit të këtij ligji janë mungesa e transparencës me të cilin është diskutuar dhe ka kaluar në Kuvend, mosdeklarimi i disa detajeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me përfitimin që kjo kompani do marrë nga shteti shqiptar për të ushtruar mbikqyerjen e doganave, qëllimit final të kësaj marrëveshjeje që nuk sjell përfitime në arkën e shtetit shqiptar, përkundrazi, si dhe faktin se përmes ligjit kompania britanike e mbikqyerjes së doganave i shmanget taksimit në shqipëri, shqetësim ky i ngritur në Komsionin e Ligjeve dhe nga anëtari i kryesisë së PS, deputeti Ben Blushi. Ky është i dyti ligj i mazhorancës që rrëzohet nga Presidenti Nishani, pas aktit normativ për Nëpunësin Civil, që u rrëzua për arësyet ligjore dhe të transparencës dhe po me të njejtën monedhë sërish nga Kuvendi i dominuar nga mazhoranca e majtë, kaloi pa asnjë ndryshim duke hyrë në fuqi.

Këto dy vendime të Nishanit për rrëzimin e dy ligjeve të rëndësishme të qeverisë në më pak se një muaj kohë, tregojnë qartë se tashmë përplasja ka filluar. Dhe argumentet për rrëzimin jo vetëm të ligjit për “Nëpunësin Civil”, por dhe për marrëveshjen me kompaninë britanike të mbikqyrjes së doganave shqiptare që pritet ta rrëzojë në momentin më të parë për ta kthyer në Kuvend, është e njëjtë dhe me pretendimet që ka ngritur opozita e djathtë. Nga mazhoranca, Nishani është sulmuar se është e vetmja mundësi e opozitës për të dëmtuar qeverinë duke u përplasur me të për çështjen e projektligjeve, një panevojshmëri tashmë në prag të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të vendeve të BE për të vendosur në lidhje me dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, pas dhënies së rekomandimit nga KE, në tetor të këtij viti. Madje e cilësojnë kreun e shtetit të dalë nga radhët e PD dhe me votat e ish-mazhorancës së djathtë, si një zgjatim i opozitës, dhe e vetmja “komardare” shpëtimi për të vënë në diskutim ligjet e miratuara në Kuvend, ku opozita ka nivelin më të ulët të përfaqësimit të gjithë viteve të tranzicionit në Shqipëri dhe nuk mund të ndikojë në asnjë rast në Kuvend për të kundërshtuar apo për të rrëzuar ndonjë projektligj.

Opozita e ka kundërshtuar me forcë marrëveshjen që qeveria shqiptare kërkon të lidhë me “Crown Agents” për t’i kaluar menaxhimin e Doganave për dy vitet e ardhshme. Në thelb të akuzave të saj ishte argumenti se kontrata s’është transparente, pasi shtojcat janë ende të papërfunduara. Kontestim tjetër është ai që lidhet me konsulencën e BE në Dogana projekt që sipas opozitës bie ndesh me kontratën e qeverisë. Pagesa e kompanisë ka është një pikë tjetër kundërshtimi. Për opozitën, kompania nuk do përfitojë 8.5 milionë euro sa thotë qeveria, por më shumë se 13 milionë euro, pasi ka dhe shumë shpenzime jo të drejtpërdrejta. Pikërisht për këto arësye pritet që Nishani të rrëzojë Marrëveshjen.
 
Shkrimi u publikua sot (19.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)