Përmes një deklarate për mediat, ish-deputetja e PD Albana Vokshi ka vazhduar me denoncimin ndaj ministres Olta Xhaçka për abuzimin me pasurinë e Forcave të Armatosura. Ajo ka kërkuar nga Rama që ta shkarkojë ministren për shpërdorim të detyrës dhe abuzim me fondet.
Deklarata e plotë
Prej me shumë se një jave Partia Demokratike ka denoncuar abuzimin me postin të Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka. Që kur është emëruar drejtuese politike e Edi Ramës në Dibër, ajo ka përdorur helikopterin ushtarak për fushatën e Partisë Socialiste në Dibër.
Këtë e kemi denoncuar më fakte konkrete dhe prova filmike. Deri më sot, nuk ka asnjë sqarim nga Ministrja e Mbrojtjes për qytetarët shqiptarë. Pse Olta Xhaçka duhet të shkojë në mbledhje partie me helikopter dhe pse qytetarët duhet të vuajnë pasojat e këtij abuzimi që kushton mbi 100 milionë lekë.
Vetëm në dy muajt e fundit, për të dërguar dhe për të marrë Olta Xhaçkën nga Dibra, helikopteri ushtarak ka udhëtuar 22 herë nga Farka në Peshkopi dhe anasjellas. Ka patur raste që zonja ministre ka përtuar të shkojë deri në Farkë dhe helikopteri e ka marrë apo e ka lënë poshtë zyrës së saj në Ministrinë e Mbrojtjes.
Olta Xhaçka hesht, edhe pse është kapur në flagrancë në një shkelje, të përsëritur, të kryer në vijimësi, me vetëdije të plotë që i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 100 milionë lekë. Edhe Edi Rama hesht, megjithëse abuzimi me detyrën nga vartësja e tij, është flagrant. Më e pakta, që mund të bëntë një kryeministër normal, do të ishte shkarkimi i Ministres së Mbrojtjes për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike për interes privat partiak.
Ministrja nuk flet, pasi e di se ky rast abuzimi i kushton më shumë sesa një vend në qeveri. Edi Rama bën sikur nuk ka parë dhe nuk ka dëgjuar, sepse ka të njëjtën mendësi për luksin e shfrenuar me paratë e taksapaguesve.
Përdorimi i helikopterit ushtarak për punët private partiake të qeverisë ka treguar para shqiptarëve dhe partnerëve se ky rast nuk është vetëm papërgjegjshmëri apo abuzim me fondet.
Ky është një rast flagrant sesi çdo burim i administratës shtetërore vendoset në shërbim të karrikes së pushtetit të një personi të vetëm, Edi Ramës.
Në ekran po shfaqen edhe një herë datat, kur Olta Xhaçka e ka përdorur helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes për punët e Partisë Socialiste. Brenda ditës, helikopteri ka shkuar në Dibër, është kthyer, në Tiranë, ka shkuar prapë në Dibër pasdite për ta marrë, pasi ka inspektuar rrugë lokale dhe ka bërë mbledhje partie.
Helikopteri e ka bërë këtë plot 22 herë për 2 muaj. Çdo vajtje në Dibër e Olta Xhaçkës me helikopterin ushtarak kushton nga 5-10 mijë euro.
Mijëra familje vuajnë sot pamundësinë e blerjes së ilaçeve anticovid, pamundësinë e bërjes së një tamponi që në privat kushton 100 euro, pamundësinë e blerjes apo edhe të gjetjes së një bombole oksigjeni. Ndërsa Ministrja e Mbrojtjes shpërdoron 100 milionë lekë për 2 muaj për udhëtime me helikopter ushtarak, që e përdor si taksi private për fushatën elektorale të PS.
Qindra nëna nuk kanë ç’t’u japin fëmijëve të tyre, nuk i çojnë dot në shkolla, nuk u sigurojnë dot arsimim, ndërkohë që për mbledhje partie në Peshkopi për pushtetin e Edi Ramës, Olta Xhaçka harxhon 10 mijë Euro me helikopter.
Partia Demokratike do ta çojë deri në fund këtë çështje të abuzimit të rëndë me pushtetin dhe me fondet publike.
Qytetarët nuk meritojnë këtë pushtet arrogant, brutal dhe të pandjeshëm. Qytetarët meritojnë një qeveri që punon për interesin e tyre!