TIRANË – Partia Demokratike i bën "ekspertizën", fotografisë së publikuar nga kryesocialisti Rama me Presidentin amerikan Barak Obama. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi iu referua një deklarate të kreut të PS-së. “Siç e tha edhe vetë Rama mbrëmë, “- tha Vorpsi, - “takimet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara nuk ndodhin rastësisht. Atëherë, si ka mundësi që Rama të qëllojë të jetë në të njëjtin hotel në Kalifornia? Pse u fotografua Rama në të njëjtin udhëtim me Bilal Shehun i cili vetëm pak ditë më parë kishte dhuruar një shumë të konsiderueshme parash në fushatën e Obamës?
 
Vetëm hidhini një sy vetë fotos! Shihni  se çfarë ka veshur Shehu në foton me Ramën – ekzaktësisht të njëjtat gjëra që ka veshur edhe me Obamën dhe shiheni edhe çfarë ka veshur Rama në foto me Shehun – ekzaktësisht të njëjtat gjëra që ka veshur edhe me Obamën. Sepse këto foto janë bërë në të njëjtën ditë në të njëjtin vend – në Kalifornia, në një event për mbledhje fondesh. Po ashtu, pse në sfond të fotos të Ramës me President Obamën duket drejtuesi i fushatës së Presidentit Obama për mbledhjen e fondeve?"
rama obama
 Zëdhënësja e selisë blu pyeti sërish: "Përse raportet e mediave Amerikane konfirmojnë se fotografia është bërë në eventin e mbledhjes së fondeve të organizuar në San Francisco, për të cilën janë ngritur këto pyetje? 

Rama mund të mendojë se këto akuza janë “qesharake”, por Kongresi i Shteteve të Bashkuara i merr këto akuza shumë seriozisht. Aq seriozisht, sa ata i bënë thirrje FBI-së dhe Komisionit Federal të Zgjedhjeve të hetojnë Edi Ramën për shkelje të kodit zgjedhor dhe kodit penal,”- theksoi ajo.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)