TIRANË- Ndërsa para zgjedhjeve ishte Partia Socialiste që kërkonte ndryshime në rregullore sa i përket çështjes së barazisë së fjalës në Kuvend, tani PD-ja ndodhet në të njëjtën situatë.

Partia Demokratike kërkon kohë të barabartë fjale me kryeministrin Rama në Kuvend.

“Ne kërkojmë ndërhyrje të përfaqësuesit, të kreut të Grupit Parlamentar ose të një përfaqësuesi, të jetë për ndërhyrje kryesore ndaj kryeministrit, ato ndërhyrje që krijojnë dhe shprehin një vullnet politik”, ka thënë në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi. Kohë më parë, kur Partia Socialiste ishte në opozitë dhe bëri të njëjtën kërkesë, PD-ja e quajti anti-Kushtetuese.

“Nuk ka asnjë përplasje me Kushtetutën. Ndërkohë ajo që kërkojmë ne është krejt tjetër nga ajo çfarë ka këruar Partia Socialiste kur ishte në opozitë” iu përgjigj ai gazetarëve që e pyetën për ligjshmërinë e kërkesës së PD-së.

Sipas Bylykbashit "Kuvendi është formimi i vullnetit politik nëpërmjet ‘përplasjes’ së vullneteve politike të forcave të ndryshme politike. Në këto kushte, duke qenë se për opozitën e drejta për fjalën është një e drejtë themelore dhe për të shprehur qëndrimin e saj”.

Ai e ka cilësuar “barazi armësh”, kohën që mund t’i vihet në dispozicion palëve për të marrë të drejtën e fjalës.
 
“Duke qenë se edhe kryeministri përfaqëson ekzekutivin në raportin me Parlamentin, ajo që kërkojmë ne është një “barazi armësh" në lidhje me shprehjen e këtyre vullneteve politike.”

Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)