PD kërkon “kokat” e Sulit dhe
Leskajt si “kurban” për drejtësinë

PD kërkon “kokat” e Sulit dhe<br />Leskajt si “kurban” për drejtësinë
TIRANË - Atë që kishte vendosur të enjten në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha e saktësoi në një komunikim me median: PD nuk pranon të vijojë me dialogun politik për reformën në drejtësi, për sa kohë mandati i deputetëve socialistë Rakip Suli dhe Valentina Leskaj nuk shkojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk negociohet as Kushtetuta dhe as vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Pa zbatuar vendimin, dialogu me Edi Ramën është baras me dialog me terroristët dhe Partia Demokratike nuk dialogon me terroristët. Rakip Suli jep me qira ndërtesën e tij për OSHEE apo Valentina Leskaj që merr 1/3 e hekurudhës për djalin e saj. Gjykata Kushtetuese duhet të marrë në shqyrtim këto dy raste, por Edi Rama refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur korrupsionin, ashtu siç mbrojti krimin, sepse këto janë dy këmbët e pushtetit të tij. Mandatet e tyre duhet të përfundojnë, pasi ata kanë shkelur ligjin", shtoi ai.

Në këto kushte, reforma në drejtësi pritet të ngelet peng e një kushti politik, që zor se mund të plotësohet nga mazhoranca, qëndrimi i së cilët është konkretizuar me vendim Kuvendi për të mos dërguar në Kushtetuese Rakip Sulin, ndërsa për Leskajn ende nuk ka nisur proces verifikimi. I sapo kthyer nga vizita disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lideri i partisë Demokratike tha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët nga selia blu se ka marrë garancinë e SHBA-ve për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe realizimin e reformës në Drejtësi, sipas rekomandimeve të Venecias.

Basha deklaroi se krijimi i Byrosë së Hetimit dhe reforma në Drejtësi do t'i japin fund pushtetit të "Al-Kaponeve" shqiptarë, që sipas tij, sot qeverisin vendin. "Reforma në Drejtësi nuk është qëllim në vetvete, ajo do t’i japë fund krekosjes dhe arrogancës, pasi Qeveria ju vjedh edhe kacidhen e fundit. Do t’i japë fund Al Kapones së ulur në karrigen e kryeministrit që më pas përkthehet në dhjetëra Al Kapone të tjerë", u shpreh kreu i Partisë Demokratike para gazetarëve, teksa fliste për takimet e tij në SHBA.

Disa ditë më parë, edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu tha se Byroja e Hetimit duhet të arrestojë "Al Caponet" shqiptare, që sipas tij, janë personat e imunizuar prej korrupsionit. “Byroja Kombëtare e Hetimit ka një qëllim, të parandalojë dhe të dënojë rastet e abuzimit flagrant me pushtetin të pushtetarëve që sot e shohin veten e tyre të paprekshëm dhe mbi ligjin, dhe si e tillë nuk mund dhe nuk do të jetë kurrë nën varësi të pushtetarëve. Ne kishim të drejtë. PD kishte të drejtë.

Ne ishim të hapur dhe të sinqertë, ndaj gjej rastin të përshëndes faktin që më në fund edhe mazhoranca duket se po i afrohet konceptit të “Venecias”, konceptit euro-amerikan për Byronë Kombëtare të Hetimit që është Byroja Kombëtare e Hetimit nën prokurorinë dhe jo nën qeverinë”-tha shefi i opozitës. Duke folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Basha tha se "SHBA-të do jenë pranë çdo shqiptari për zgjedhje të lira dhe të ndershme".

Kryeministri përgjigje Bashës: Kërcen si "prifti nga belaja"
Edi Rama nuk pranon kushtet e opozitës për reformën në drejtësi. Mënjeherë sapo Basha përsëriti qëndrimin e opozitës se mandati i Sulit dhe Leskajt kushtëzon bisedat politike për reformën në drejtësi, Rama është përgjigjur në rrjetet sociale duke shpërfillur kushtet e PD-së, e duke i kujtuar dhe një herë asaj se nuk ka kohë për të humbur në votimin për reformën në drejtësi.

Në momentet kur Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po jepte një konferencë për shtyp për mediat, pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ku tha se kryeministri Rama është kthyer në ‘Al Kaponë”, Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke e konsideruar Bashën si “prifti që kërcen nga belaja”. Këtë reagim Rama e ka bërë përmes rrjetit social “Facebook” në të cilin ka shtuar se, Basha duhet të nxitojë pasi duhet votuar Reforma në Drejtësi.

“Dhe jo vetëm do bësh sikur do, por do bësh edhe sikur po na bind edhe neve! Bëj ç'të duash e thuaj ç'të duash, por nxito se duhet të votojmë! ‪#‎VajMedetPD që kërcen si "prifti nga belaja" e di mirë ky popull sa e do reformën në drejtësi por e di edhe ti që do s'do do bësh sikur do! E sa për vizitën ne SHBA ka një dallim ‪#‎VajmedetPD:Dje ambasada bënte zhurmuesin ne takimet e opozitës sot opozita mikpritet ne ambasade:-)”-shkruan Rama. Ndërkohë, i pyetur në konferencë nga gazetarët për komentet e tij në lidhje me këto deklarata, Kreu demokrat ka thënë se, reagimet e Ramës janë si ato të Duçes. “Reagimi i Ramës në FB janë reagime si ato të Duçes.

Byroja u bë dhe po bëhet siç kemi thënë ne, në të njëjtën mënyrë do të bëhet edhe Reforma në Drejtësi” ka thënë Basha. Klima e mirëbesimit dhe konsensusi për reformën në drejtësi nuk ka zgjatur më shumë se 24 orë. Ditën e enjte dështoi mbledhja e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, pas tre tentativash për të ulur bashkë deputetë të mazhorancës dhe opozitës.

Fillimisht mbledhja u njoftua për në orën 10:30 të paradites, por për shkak të punimeve të Kuvendit u shty për në orën 14:00. Mbledhja e tretë u lajmërua për në orën 18:00, por opozita mungoi duke bërë që mbledhja të shtyhet pa afat. Por, as këtë herë deputetët e PD nuk kanë mbërritur në mbledhjen e komisionit, duke bërë që takimi të shtyhet javën e ardhshme, kjo edhe me kërkesë të demokratëve. Partia Demokratike do të kushtëzojë angazhimin e saj për reformën në drejtësi, me kërkesat për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja