PD: Krahu i djathtë i Tahirit 2 herë
i pezulluar. MPB: Akuzë e pavërtetë! 

PD: Krahu i djathtë i Tahirit 2 herë<br />i pezulluar. MPB: Akuzë e pavërtetë! 
TIRANE - Opozita është e vendosur në kërkesën e saj për dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri. Pas akuzave për lidhje të ministrit me trafikun e drogës, PD deklaroi sot përmes deputetes Mimoza Hajdarmata, se inspektori personal i Tahirit është dy herë i përjashtuar nga Policia e Shtetit për shkelje.

Bëhet fjalë për Anastas Meçin, për të cilin deputetja demokrate paraqiti edhe shkresat zyrtare për dy rastet e pezullimit të tij.  

"Pikërisht, me të tillë persona, Ministri Tahiri mbyll aferat e tij dhe kujdeset për bizneset e tij kriminale. Ai është sot ministri më i akuzuar në dy dekadat e fundit, për lidhje me bandat e trafikut të drogës“, -tha Hajdarmata.

perjashtimi anastas meci


MPB: Meçi s'është në varësinë e Tahirit

Ministria e Brendshme lidhur me akuzat e PD-së reagoi duke thënë se Anastas Meçi nuk është pjesë e Policisë së Shtetit. Sipas MPB-së, Meçi është pjesë e administratës publike, por pjesë e administratës së dikasterit të drejtuar nga Tahiri siç pretendon PD.

Më tej MPB sqaron se, Meçi është larguar nga Policia e Shtetit në vitin 1996 me urdhër të ish-ministrit të PD-së, Agron Musaraj, për motive politike. Meçi gëzon statusin e nëpunësit civil dhe i plotëson të gjitha kriteret për t’u rekrutuar në Administratën shtetërore.

“Saktësojmë se në vitin 1996, z. Meçi është liruar nga detyra në Policinë e Shtetit, jo përjashtuar siç deklaron PD-ja, ndërkohë sa i përket urdhrit të vitit 2001, z. Meçi është përjashtuar pa respektuar procedurën“, thuhet në reagimin e MPB-së.
perjashtimi 2 anastas meci



Deklarata e plote e deputetes Mimoza Hajdarmata
 
Një nga njerëzit më të afërt të Ministrit të Brendshëm, Anastas Meçi, inspektori i tij personal që ka në fakt më shumë pushtet se sa i jep detyra dhe ligji, është përjashtuar dy herë nga policia e Shtetit për shkelje të rënda.

Fillimisht u përjashtua në vitin ‘96 për falsifikim provash. Ai u akuzua se falsifikoi provat në djegien e magazinës së armatimeve në Peqin, në vitin 91. Më pas, u përjashtua në vitin 2001, nga Bilbil Mema, atëherë drejtor i Përgjitshëm i Policisë, për abuzime të rënda me atributet e Policisë. U kap me abuzime me armatimin, kur ishte shef i sektorit të grumbullimit të armëve në komisariatin e Kuçovës.

Kemi këtu dy shkresat zyrtare për inspektorin e Tahirit.

Por sot, ky i përjashtuar dy herë për shkelje të rënda, është krahu i djathtë i Ministrit të Brendshëm. Pikërisht, me të tillë persona, Ministri Tahiri mbyll aferat e tij dhe kujdeset për bizneset e tij kriminale. Ai është sot ministri më i akuzuar në dy dekadat e fundit, për lidhje me bandat e trafikut të drogës.

Oficerë të larët të Policisë kanë dhënë prova e dëshmi të implikimit të drejtpërdrejtë të Saimir Tahirit në trafikun e drogës.

Faktet tregojnë se Tahiri ka inkriminuar kupolën e rendit dhe lidhjet e tij me krimin janë tronditëse. Ka vetëm një rrugë, largimi i tij dhe hetimi i plotë nga drejtësia.


Reagimi për deklaratën e PD për punonjësin e Inspektimit në MPB

Lidhur me deklaratën e PD-së, për rikthimin në detyrë të z. Anastas Meçi, për shkak se është përjashtuar dy herë nga rradhët e Policisë së Shtetit, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se:

Z. Meçi është larguar nga Policia e Shtetit në vitin 1996 me urdhër të ish-Ministrit të PD-së, Agron Musaraj, për motive politike.
Sot, z. Meçi nuk punon në Policinë e Shtetit por në Administratën Publike, dhe jo në varësi të Ministrit të Brendshëm, siç deklaron PD-ja.
Z. Meçi gëzon statusin e nëpunësit civil dhe i plotëson të gjitha kriteret për t’u rekrutuar në Administratën shtetërore.
Saktësojmë se në vitin 1996, z. Meçi është liruar nga detyra në Policinë e Shtetit, jo përjashtuar siç deklaron PD-ja, ndërkohë sa i përket urdhërit të vitit 2001, z. Meçi është përjashtuar pa respektuar procedurën.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarjacom)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Liga e Kombeve/ Deschamps lë jashtë Francës sulmuesin Kylian Mbappe

Liga e Kombeve/ Deschamps lë jashtë Francës sulmuesin Kylian Mbappe