PD: Kreu i PS Ersekë godet me
armë anëtarin e PD, hesht policia

PD: Kreu i PS Ersekë godet me<br />armë anëtarin e PD, hesht policia
Partia demokratike vijon të akuzojë kryeministrin Edi Rama se ka emëruar në poste drjetuese në PS persona me të shkuar kriminale. Drejtuesi i departamentit të sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj denoncoi një ngjarje të dy netëve më parë ne Ersekë, ku sipas tij kreu i PS atje ka qëlluar me armë drejt një anëtari të PD.

Kjo ngjarje sipas Alibeajt është mbyllur nga policia e Ersekës.

Deklarata e plotë e PD-së
Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur para dy netësh në Ersekë, ngjarje që tregon se Edi Rama ka thirrur banditët në armë, dhe synon ta kthejë Partinë Socialiste në një sipërmarrje kriminale.

Njeriu të cilit Edi Rama i ka besuar Partinë Socialiste të Ersekës, Orest Malushi, jo vetëm është me precedent penalë për plagosje të rëndë me armë, por bredh edhe me pistoletë në brez, dhe godet e kërcënon demokratët.

Ky drejtues socialist i Edi Ramës, në shoqërinë e kreut të PS së Leskovikut, Sergei Peshtani dhe drejtorit të Ujësjellësit, Robert Hamzaj, ka qëlluar me armë drejt anëtarit të Partisë Demokratike, Zylyftar Byreku, në një lokal në Shelegur.

Për fat, plumbi nuk e ka kapur qytetarin, dhe më pas disa të pranishëm kanë ndërhyrë duke i hequr armën.

Edhe pse anëtari i Partisë Demokratike ka bërë kallëzim, Shefat e policisë janë kujdesur që banditi i Ramës të jetë i lirë, dhe i lirë është edhe sot pas kësaj ngjarje të rëndë. Shefat e policisë janë kujdesur për drejtuesin e Edi Ramës, me armë në brez që shtin mbi qytetarët, që të mungojnë dhe provat kundër tij, duke prishur kamerat e lokalit.

Partia Demokratike i siguron këta drejtues të Policisë që do të përgjigjen para ligjit deri më një për këtë fshehje të ngjarjes dhe bashkëpunim me krimin.

Inkriminimi skandaloz, dhe bashkëpunim i shefave të policisë me urdhër nga lart, në favor të krimit dhe kundër qytetarit, është standardi më i keq ku ka mbërritur vendi ynë, me Edi Ramën e cubat e tij që sundojnë nëpër qytete e nuk i kap ligji, që i sjell edhe në parlament për të votuar qeverinë pasi kanë shkaktuar gjakdershje me armë pa leje.

Edi Rama po sfidon çdo ditë qytetarët e vendit, dhe të ardhmen europiane, duke refuzuar pastrimin e politikës nga krimi, e duke zgjedhur të ndajë pushtetin me banditë, trafikantë e vrasës.​

Pas akuzave të PD-së, ka reguar administratori i Njësisë Administrative të Leskovikut Sergei Peshtani, duke përgënjeshtuar Alibeajn. 
 
"Orest Malushi është dora vetë drejtor i ujësjellësit të Ersekës dhe jo i shoqëruar prej drejtorit të ujësjellësit,siç e thua zotrote,por prej shefit të Agjencisë së  OSHEE Kolonjë.Unë,Sergei Peshtani jam administrator i njësisë administrative Leskovik dhe jo kryetar i PS Leskovik,por kam qenë i tillë deri në momentin kur në Partinë tonë që është e vërtet demokratike filloi procesi zgjedhor,pas të cilit të siguroj 100% se do rizgjidhem sipas parimit një anëtar një votë për shkak të personalitetit,karakterit dhe respektit që gëzoj në këtë komunitet,pavarësisht baltës që hodhe për mua,por po të bie në surrat!Po është e vërtetë që kemi qenë bashkë duke shijuar një gotë verë,por le të dalë ndonjë burrë,qoftë edhe akuzuesi e para meje e të thotë se në momentin për të cilin thuhet se ka  ndodhur shkrepje arme,unë kam qenë aty prezent. Po je burë jo burrë më dil përballë," tha Peshtani në reagimin e tij.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot