PD, Malltezi: Qeveria mbron miqtë
 politik, qytetarët nëpërkëmben

PD, Malltezi: Qeveria mbron miqtë<br /> politik, qytetarët nëpërkëmben
Partia Demokratike ka denoncuar shkeljet ligjore të deputetit të maxhorancës Koço Kokëdhima. Sipas drejtuesit të departamentit të Ambientit, Pyjeve dhe Turizmit Jamarbër Malltezi, deputeti socialist ka shkelur 10 ligje për urbanistikën si dhe 2 plane rregulluese.
 
Malltezi tha se më këto veprime qeveria lejon të shkelen haptazi ligjet nga miqtë politikë të Edi Ramës ndërsa qytetarët e thjeshtë përballen me arrogancën e pushtetit.

Deklarata e plotë e Jamarbër Malltezit
Rama na mallëngjeu me deklaratën e tij: “Ne do bëjmë shtet. Kush shkel ligjin është i papranueshëm”

 

Në fakt, shteti i Edi Ramës i burgos të varfërit për një tendë pa leje në shtëpinë e tyre. Por

shteti i Edi Ramës mbyll sytë kur kalon nga Zogu i Zi ku ndërtesa 6 katëshe pa leje e deputetit të tij Abazi ka bllokuar diellin dhe ajrin e fqinjëve deri në katin e 6-të.

 

Shteti i Ramës po e paguan në natyrë me mushkritë e Tiranës ndertuesin bujar të sarajeve të Surrelit. Shteti i Ramës fshihet dhe ikën në drejtim të paditur kur përballet me paligjshmeritë e Koçove, Sadrive, Vangjushëve, dhe gjithë Metastazave të Oligarkisë kur keta shkelin dhjetra ligje njëherësh.

 

Partia Demokratike po i jep mundesinë Ramës që t’a mbajë fjalën dhe mos gënjejë si gjithnjë dhe për gjithçka. Partia Demokratike depozitoi në Prokurori kallëzimin penal të argumentuar në 12 faqe lidhur me paligjshmërinë e Koços.

 

Sarajet e Koços dhunojnë jo 1 apo 2 por plot 10 ligje dhe 2 plane urbane. Ato përfaqësojnë një obelisk të anti-ligjit në Shqipëri. Për fat të keq, në vend që të deklaronte prishjen e obeliskut më të madh të anti-ligjit në Shqipëri, javën e shkuar Edi Rama premtoi që do i bëjë edhe një shëtitore përpara. Ky është tregues i llojit të shtetit që do të bëjë Rama.

 

Ndërkohë që po i shpall paligjshmëritë e Koços si “Monumente Kulture që mbrohen nga shteti i Edit” janë me qindra shtëpi e dyqane që u janë shembur të pamundurve pa procedure, pa ligj, dhe madje pa u dhënë kohë të sistemohen diku.

 

Koço shkel të gjithë ligjet e urbanistikës, mbrojtjës së mjedisit, lejeve mjedisore, rezervave ujore, planifikimit dhe kontrollit të territorit, inspektimeve të ndërtimit si edhe 2 Plane Urbanistike në fuqi, përkatësisht Planin e Zhvillimit të Bregdetit të Jugut dhe Planet e Detajuara Vendore të Bashkisë Himarë.

Ja tek janë hartat e Planit Rajonal dhe Planit të Detajuar Vendor që tregojnë sarajet e Koços në dhunim të plotë të këtyre planeve.

 Kallëzimi penal përfshin veprat “Ndërtim i paligjshëm”, “Pushtim i tokës”, “Dëmtim të mjedisit”, “Shpërdorim i detyrës”, si dhe çdo vepër tjetër të konsumuar apo të mbetur në tentativë që do dalë nga hetimet si psh “falsifikim dokumentash” apo “dëshmi e rreme” nga drejtuesit e policisë.

Shpresojmë që Prokuroria që ka hapur çështje penale edhe për një tende pa leje në tokë të vet tek “armiqtë e partisë” dhe qytetarët e thjeshtë, do të këtë kurajon të çojë para ligjit Koçon për këto shkelje flagrante të 10 ligjeve dhe 2 planeve urbanistike në fuqi.

Nëse qeveria nuk ka qef të zbatojë shtetin ligjor në rastet kur cënohen interesat e Koçove të pushtetit, të pakten t’a bëjë në mënyrë ligjore, dhe të shtojë në Kushtetutë nenin “Çdo ligj shpallet i pavlefshem nëse bie ndesh me dëshirën e Metastazave të oligarkise së pushtetit”.

 

Ligjet e dhunuara nga Koço Kokëdhima:

1.      Ligji “Për urbanistikën”, i ndryshuar;

2.      Ligji “Për Rezervat Ujore”;

3.      Ligji “Për Mbrojtjen e Mjedisit;

4.      Ligji “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”

5.      Ligji “Për Lejet Mjedisore;

6.      Ligji “Për planifikimin e territorit”

7.      Ligji “Për inspektimin e ndërtimit”

8.      Ligji “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”

9.      Ligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit"

10.  Ligji “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”

Planet Urbanistike qe dhunon Koço Kokëdhima:

1.      Planin e zhvillimit të Bregut të Jugut, miratuar me Vendimin nr. 1, datë 17/07/2008,

të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), ish KRTRSH;

2.      Planet e Detajuara Vendore të Bashkisë Himarë, vendimi nr. 1 datë 01.06.2012 i KKT;


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Nga mbërritja e Metës me dy gishta, te ‘selfie’ e përzemërta mes Elona Gurit dhe Kryemadhit

Nga mbërritja e Metës me dy gishta, te ‘selfie’ e përzemërta mes Elona Gurit dhe Kryemadhit