TIRANE- Partia Demokratike thotë se qeveria ”Rama” ka nisur vitin 2014 me masakra të reja ndaj administratës publike.

Përmes një deklarate për shtyp të zëdhënëses së kësaj partie, Laura Vorpsi PD thotë se qeveria po shkarkon dhjetra profesionistë e nëpunës civilë e duke i zëvendësuar ata me militantë të papërvojë dhe pa kualifikimet e duhura.
 
“Më 8 janar, Ministrja e Mbrojtjes ka kaluar në listë pritje më shumë se 70 nëpunës civilë. Lista e pritjes është siç dihet paradhoma e shkarkimit nga detyra, pasi ndërkohë, janë shpallur njoftimet për vendet e reja të punës. Po ashtu, për një ditë, janë larguar 12 specialistë të kualifikuar të Zyrës së Punës. Pa asnjë motiv ligjor.”- tha Vorpsi.
 
Sipas PD-së shkarkimet pa motiv por thjesht për të hapur vende pune për militantët e Partisë Socialiste po bëhen çdo ditë edhe në rrethe.

PD e quan “masakër të qeverisë ndaj nëpunësve civilë” dhe e dënon “këtë akt primitiv, anti-ligjor që shkakton kosto të rëndë sociale për shumë familje, si dhe dëmton rëndë administratën publike, dhe procesin e integrimit europian të vendit”.

“Revanshi i egër politik i qeverisë ndaj nëpunësve civile- thotë PD- është edhe më i dyshimtë e i paligjshëm kur dihet se Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim kundër aktit të mazhorancës për shtyrjen e zbatimit të ligjit të ri të Nëpunësit Civil.

Por asnjë nga këto paralajmërime nuk po e pengon qeverinë të ndalojë fshesën e partiake ndaj administratës civile.”

PD mbyll deklaratën duke deklaruar se të gjithë urdhëruesit e këtyre akteve herët apo vonë, do të përgjigjen penalisht për shkeljet dhe për abuzimet qe po bëjnë.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)