Deputeti i PD-së Florion Mima përmes një deklarate për shtyp tha sot se sasitë dy apo trefish më të larta në ç’doganimin e cigareve dhe karburanteve gjatë muajit dhjetor 2013 kanë lidhje me shmangien e regjimit të ri fiskal me taksat e reja që do të hynin në fuqi me 1 janar 2014.
Ai e quan skemë të “zhvatjes të dirigjuar nga duar pranë qeverisë” dhe i kërkon “Crown Agents” kompanisë konsulete ta investigojë dhe të propozojë të njëjtën masë që do të kishte marrë në vendin nga vjen, pra Britania.
“Shqiptarët do të paguajnë edhe për gjoja tejkalimet e të ardhurave. Sasitë dy apo trefish më të larta në ç’doganimin e cigareve dhe karburanteve gjatë muajit dhjetor 2013, për të shmangur regjimin e ri fiskal me taksat e reja që do të hynin në fuqi me 1 janar 2014, përfaqësojnë para qe jo vetëm mungojnë në arkën e përbashkët të shqiptarëve, por që në të njëjtën kohë u zhvaten atyre paralelisht njëlloj sikur për këto mallra të ishin paguar akciza e re dhe taksa e re e qarkullimit duke aplikuar çmime të rritura egzaktësisht sa masa e taksave të reja.
Ne kemi arsye të besojmë se e gjithë kjo maskaradë zhvatjeje është e dirigjuar nga duar pranë qeverisë. Konsulentit kryesor të huaj të kësaj agjencie, ndonëse të përzgjedhur në kundërshtim me ligjet në fuqi të vendit, por që paguhet nga paratë e taksapaguesve shqiptare, i takon, në bazë të ligjit, të investigojë këtë skemë korruptive evazioni, shmangieje dhe zhvatjeje të qytetarëve në vlerën e dhjetëra milionë dollarëve dhe të propozojë të njëjtat masa apo aksione që do të kishte ndërmarrë në vendin e vet për të garantuar që paratë që populli paguan me çmime të kripura me gjoja taksat e reja të shkojnë në arkën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve dhe jo ne xhepat e qeveritarëve të korruptuar."- tha sot paradite Florion Mima në një prononcim për median nga selia PD.
Sipas Mimës plani i të hyrave u ul dhe vendi u borxhua në mënyrën më kriminale dhe shqiptarët do të paguajnë interesa direkt nga xhepi i tyre për një borxh që nuk u duhej atyre por që i duhej qeverisë për të brohoritur tejkalimet.
"Teksa dëgjonim 'paradën e sukseseve' të agjencisë kryesore të të hyrave publike, me gjoja tejkalime me 28% të planit të ulur të të ardhurave, miratuar me Aktin Normativ të fundvitit 2013, nuk kishte si mos të të binte në sy se kjo shifër ishte pikërisht ajo që ne paralajmëruam që të ardhurat të mos uleshin dhe të mos borxhohej vendi në mënyrë të panevojshme, por të përvisheshin mëngët dhe të mblidheshin të hyrat që ekonomia reale, jo ajo në krizë e Edi Ramës, prodhonte. Askush nuk na dëgjoi, plani i të hyrave u ul dhe vendi u borxhua në mënyrën më kriminale. Shqiptarët duhet ta dinë se ata do të paguajnë interesa direkt nga xhepi i tyre për një borxh që nuk u duhej atyre por që i duhej qeverisë për të brohoritur tejkalimet. "- shtoi Mimo.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)